Komuna e Gjilanit ka nënshkruar sot marrëveshjen për implementimin e tregëtisë së qëndrueshme për produkte të freskëta të fermerëve nga zonat kufitare të Gjilanit dhe Kumanovës me financimin e Komisionit Evropian në kuadër të programit IPA, në vlerë prej mbi 320 mijë euro dhe implementimi do të filloj në muajin janar dhe është me kohëzgjatje prej 18 muajsh.
Me këtë rast kryetari Lutfi Haziri, ka thënë se praktika e mirë e bashkëpunimit ndërkufitar po vazhdon me mbështetjen edhe të Bashkimit Evropian që sot edhe praktikisht kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit në mbështetjen e fermerëve që bëjnë prodhimin e produkteve të freskëta.
“Më parë për një periudhë dy vjeçare Komuna e Gjilanit dhe Komuna e Çairit kishin bashkëpunuar në valorizimin e zejeve. Ndërsa sot kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Kumanovën dhe ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian, me pjesëmarrje edhe të buxhetit vetanak. Qëllimi është mbështetja e produkteve të freskëta që prodhohen në këtë zonë ndërkufitare. Është jashtzakonisht i mirseardhur ky bashkëpunim sepse ndihmojmë drejtpërdrejtë fermerët tanë dhe normalisht nxitet prodhimi edhe më kualitativ dhe njëkohësisht pretendohet të ketë rritje të punësimit, që është determinues edhe i punimit më të madh të tokës bujqësore”, ka thënë mes tjerash kryetari Lutfi Haziri.
Kryetari Haziri gjithashtu ka falënderuar Bashkimin Evropian dhe programin IPA, që ka qenë aktiv me shumë projekte në Komunën e Gjilanit në shërbim të qytetarëve.