Kryetari i Degë së LDK-së në Gjilan, njëherësh nënkryetar i parë në nivel qendror, Lufti Haziri, në 25-vjetorin e masakrës e tmerrshme që përjetoi fshati Llashticë në vitin 1999, ka thënë se janë gjithmonë të freskëta plagët e tmerrit që kaluan banorët e Karadakut dhe gjithë regjionit.
Haziri ka thënë se përmes Llashticës kujtojnë edhe masakrën e Llovcës, Lladovës, Zhegrës dhe të gjithë të rënët e prillit, majit e qershorit dhe të gjithë të rënët në luftën për liri.
“Ky është 25-vjetori i prillit të madh, i sakrificës, torturës dhe vrasjeve barbare të masakrimit të shqiptarëve. Këtu u vra e masakrua fëmija më i vogël në luftën çlirimtare të Kosovës dhe plaka më e vjetër në moshë. Është masakra më e madhe që Gjilani dhe regjioni e ka përjetuar. Ne do ta kujtojmë masakër si ngjarja më e frikshme e dhimbjes së madhe për të gjithë ne në këtë regjion. Lashtica është Reçaku i Anamoravës” – u shpreh Haziri.
Ai ka vleresuar se kjo masakër është një plagë e hapur, pasi ende nuk ka filluar asnjë hetim.
“Shpresoj shumë në organet e drejtësisë që një ditë drejtësia të shfaqet edhe në këto vendbanime”, tha kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherësh nënkryetar i parë në nivel qendror, Lutfi Haziri.
Forcat paramilitare serbe më 13 prill të vitit 1999 kishin vrarë dhe masakruar 26 civilë shqiptarë në Llashticë të Gjilanit. /2LONLINE/