“Në LDK e kemi vendosur standardin e barazisë, në raportin 50 me 50 dhe shpresojmë që këta kandidatë të jenë deputetët tanë në Kuvendin e Republikës”.
Kështu është shprehur Lutfi Haziri, kryetar i Degës së LDK-së në Gjilan dhe nënkryetar në nivel qendor, në tubimin e organizuar nga Forumi i Gruas i partisë në Gjilan. Ai tha se gratë tashmë kanë hapësirë të madhe veprimi në të gjitha nivelet institucionale, përderisa ka siguruar se të gjithë kandidatët e Koalicionit të Besës dhe Shpresës, gra dhe burra, do ta kenë mbështetjen maksimale.
“Ofroj mbështetjen e plotë për kandidatët e LDK-së dhe Koalicionit të Besës dhe Shpresës. Këta do të na përfaqësojnë denjësisht. Këta njerëz që i keni përballë do të votojnë ligje e procese jo të lehta, por që do të na e sjellin liberalizimin e vizave. Këta njerëz, përveç tjerash, do të votojnë për një buxhet edhe më të madh për Gjilanin”, tha Haziri.
“Nuk do t’i falim rivalët tanë, e nuk duhet ta falim votën jashtë këtyre kandidatëve. Kjo trevë ka nevojë për kujdes. Ne kemi qenë të përjashtuar si zonë dhe jemi rikthyer dhe kemi mbështetje solide në investime. Zonja e zonjusha, më bëni nderë me mbështetjen që e kam pasur nga ju dhe vazhdoj ta kem, por kërkoj që ta bartni këtë mbështetje edhe tek këta kandidatë dhe më 11 qershor do të festojmë bashkërisht me shumë deputetë të Gjlanit në Parlament. LDK, me kryeministër Avdullah Hotin, ju garanton mirëqenie, rritje të ekonomisë dhe një ambient të sigurtë për të jetuar të lirë e të barabartë”, shtoi kryetari Haziri.
Pas Hazirit, radha erdhi për kandidatët për deputetët e LDK-së dhe të Koalicionit të Besës dhe Shpresës.
Valentina Bunjaku Rexhepi, kryetare e Forumit të Gruas në Gjilan dhe kandidate për deputete, u shpreh e bindur se gratë dhe burrat e Gjilanit do t’i mbështesin kandidatët e LDK-së, të cilët tha se janë njerëz profesionist të vërtetë, të ndershëm e punëtorë, duke përsëritur zotimin e kandidatit për kryeministër Avdullah Hotin që lehonia do të jetë 12 muaj me pagesë dhe për gratë pa punë, 50% e pagës minimale.
Ndërkaq, kandidatja Lirije Kajtazi, e cila është kryetare e Forumit të Gruas në nivel qendror, theksoi se vetë fakti i kandidimit për deputetë nga ana e kryetarit Haziri në raportin 50 me 50, flet shumë për standardin e barazinë, ndërkaq kandidati tjetër Imet Rrahmani pohoi se hapësira që i jepet grave në Gjilan, është model për Kosovën për faktin se Kajtazi e Bunjaku-Rexhepi mbajnë pozita të larta shtetëtorë e në parti.
Isa Agushi theksoi se Forumi i Gruas, jo vetëm sot, por edhe në zgjedhjet tjera, ka treguar se është shtylla kryesore e Degës në Gjilan, duke shtuar se “gjithmonë kur kemi qenë të bashkuar kemi dalë fitues”
Kandidatja nga koalicioni, Selvete Shurdhani, theksoi se realizimi i qëllimeve tona është realizim i kërkesave të qytetarëve, ndërkaq Avdil Halimi tha se në LDK gruaja nuk është numër, por është faktor, duke shfaqur besimin për fitoren e madhe të 11 qershorit.
Krejt në fund, të pranishmëve i është drejtuar edhe kandidati i LDK-së për deputet, Bajrush Ymeri, i cili ka thënë se nuk ka dilemë në përkrahjen e madhe të grave të Gjilanit sa herë që i është kërkuar atyre për momentet vendimtare për Republikën.