Luta: “Garën e pështymës” po e bëjnë ata që në politikë u ka munguar suksesi

Luta: “Garën e pështymës” po e bëjnë ata që në politikë u ka munguar suksesi

Kritikave të fundit të zërave opozitarë, kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri-Luta, iu është përgjigjur me fjalorin e tij thumbues.

Haziri ka thënë se ajo që nuk po i pëlqen, kohëve të fundit, në ambientin politik të Gjilanit, është, siç u shpreh ai, “gara e pështymës” që është duke u bërë e që ai nuk është i interesuar për përfshirje në një garë të tillë, transmeton Portali 2lONLINE.com.

Sipas tij, kjo “gara e pështymjes” po vazhdon të jetë, sidomos, atribut i disa individëve që në politikë u ka munguar suksesi, që kanë pasur mundësi me bë diçka për Gjilanin, por që nuk i kanë dhënë këtij qyteti asgjë dhe sot vazhdojnë me qenë pengesa politike, por që, siç tha Haziri, ato janë “pengesa të vogla”.

“Nëse nuk mundesh me ndihmua atëherë së paku mos i pengo të tjerët për të punuar”, është shprehur Haziri, për të përmendur se pavarësisht zërave të pabazë kritik, në Komunë do të vazhdojë realizimi i projekteve, programeve dhe investimeve kapitale, përkundër vështirësive buxhetore të cilat kanë dalë si pasojë e përballjes me pandeminë globale Covid-19.

“Është fat shumë i madh për Komunën e Gjilanit që pjesa më e madhe e investimeve të planifikuara për këtë vit, nuk janë të varura drejtpërdrejt në buxhetin e Republikës së Kosovës. Projektet e mëdha kapitale, janë investime të partnerëve të Gjilanit dhe Kosovës, sikur që është Banka Evropiane për Zhvillim, Bankën për Investime të BE-së, Bankën Botërore dhe institucione të tjera financiare të Evropës. Pandemia nuk i ka prekur projektet e kontraktuara, megjithëse një pjesë e tyre duhet të ratifikohen ne Kuvendin e Republikës”, ka thënë ndër tjerash, Lutfi Haziri, transmeton 2LONLINE.com.

KOMENTE