“Imazhi i Kosovës përtoke, po priten masa të rënda ndëshkueseve nga SHBA për Kosovën – Kujt po ia bën argatin trojka e VV-së?!”, thotë në reagimin e tij, Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Sipas tij, edhe ky fillimvit nuk po dallon asgjë nga mentaliteti i administrimit të Republikës, siç thotë ai, nga trojka e VV-së. Kriza politike, polemika, masa ndëshkuese nga partnerët të cilat pritet të bëhet edhe më të rënda, moskoordinim dhe veprime të njëanshme në emër të Kushtetutës e popullit të saj.
Haziri duke vazhduar me kritika në adresë të qeverisë, ka thënë se është mandat i humbur, por me pasoja të rënda për të sotmen e vendit. Një hap para e dy prapa. Për asgjë dhe pa kurrfarë arsye po e dëmtojnë partneritetin e shenjtë me SHBA-të dhe BE-në.
“Siguria e qytetarit të Kosovës është në pyetje. Janë zgjuar e kanë filluar ta kuptojnë se duhet ndalet tash sa nuk eshte vonë. Pasiguria e qytetarit përcillet edhe me pasiguri juridike të komuniteteve etnike e pakicave nacionale për të cilat Kosova ka bërë shumë, por kjo qeveri po rrezikon të gjithën”, ka thënë tutje Haziri.
Sipas tij, “kemi përtoke imazhin, qeverisjen, partneritetin e besimin e miqve. Republika e Kosovës, vend i dashur për popullin e saj dhe burim stabilitetit për fqinj. Ku e lamë e ku na erdhi”.
“Nuk shohin të ardhmen, por të kaluaren! Letërnjoftimi, patent-shoferi, vula doganore, energjia, bojkoti, protestat, bllokimi i rrugëve, dhuna në eskalim, sulmi terrorist, e Qeveria në sanksione e me masa ndëshkuese. Popullit të Kosovës i janë kufizuar të mirat në 300 milionë euro projekte dhe është përjashtuar nga 500 milionë të tjera për këtë vit. Kujt po ia bën argatin trojka e VV-së dhe në mulli të kujt po çon ujë kjo logjikë e mbrapshtë?!”, përfundon me pyetje reagimi ne tij, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri. /2LONLINE/