Nën organizimin e Policisë së Kosovës në Gjilan, është mbajtur sot një ligjëratë kundër ekstremizmit që shpien në terrorizëm, në të cilën ka marrë pjese kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, përfaqësues nga Drejtoria Kundër Terrizizmi në kuadër të PK në Prishtinë, përfaqësues nga Këshilli i Bashkësisë Islame, KFOR-i turk, sociologë, e teologë, sikurse edhe nxënës të shumtë e arsimtarë të shkollave fillore dhe të mesme të Gjilanit.
Komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, Remzi Azemi, ka thënë se të gjitha instiucionet e sigurisë këtë fenomen e kanë marrë me shqetësim, duke e bërë objektiv parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm që çon në terrorizëm.
Ai ka falënderuar të gjitha institucionet për bashkëpunimin e mirë, kurse ka shtuar se qëllimi i Policisë së Kosovës është identifikimi i hershëm i personave që e ndryshojnë sjelljen.
“Ne kemi marrë hapa konkret dhe falë bashkëpunimit me të gjithë, në Gjilan situata është jashtëzakonisht më e mirë, krahasuar me vitet e kaluara”, ka thëne Azemi.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka deklaruar se kjo dukuri sot botën po e çon drejt një kërcënimi serioz, ndërsa ka shtuar se arsyeja që kjo ligjëratë po mbahet në Gjilan, është se ky është një qytet i paqes, e i sigurisë.
“Ne nuk kemi asnjë vrasje në tri vitet e fundit, falë koordinimit dhe bashkëpunimit të të gjitha institucioneve në Gjilan”, tha Hazri.
Ai u bëri thirrje nxënësve, arsimtarëve e prindërve që të bashkëpunojnë për parandalimin e këtij fenomeni negativ, ndërkaq ka pohuar se “praktika ka dëshmuar rreziku i parë i infiltrimit të nxënësve është kur shkojnë në shkollë, me arsyetimin se librat e shenjtë i kemi të mjaftueshëm”.
“Dua t’ju them nxënësve se kauzë mbi të gjitha për ju është shkolla, edukimi dhe mësimnxënia. Nxënësit mund të na ndihmojnë shumë, duke i informuar shokët e shoqet e tyre për këtë fenomen dhe duke bashkëpunuar me shkollën dhe organet e sigurisë. Po e theksoj edhe një element se gjilanasit janë kryengritur për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve, e jo për të shkuar në Siri e Irak”, ka qenë mesazhi i kreut të Gjilanit.
Haziri tha se Gjilani po e bënë hapin final të pilotimit të programit të preventivës së çdo lloj ekstremizmi të mundshëm.
Përndryshe, Komuna e Gjilanit është e vetmja komunë që e ka themeluar Mekanizmin Referues, qëllimi i së cilës identifikimi, trajtimi dhe rehabilitimi i personave të indoktrinuar nga grupe dhe doktrina të ndryshme. Në kuadër të tij, janë të përfshirë përfaqësues nga institucionet e nivelit lokal, të organeve të rendit dhe drejtësisë, bashkësive fetare, Drejtorisë së Arsimit, nxënës të shkollave, e përfaqësues nga OJQ-të e Gjilanit.
Po ashtu, Komuna e Gjilanit është anëtare me të drejta të plota në Rrjetin e Qyteteve të Forta “Strong City Network”, me seli në Londër.