Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan, Lutfi Haziri, ka mbajtur konferencë për media, ku ka adresuar kritika në adresë të pushtetit, siç ka thënë, lidhur me dështimin më të madh pasi Komuna e Gjilanit nuk është kualifikuar për grant as këtë vit.
Haziri ka thënë se: “për të kuptuar deri në çfarë shkalle e ka mbuluar myku ekzekutivin e Gjilanit, tregon fakti që ky është viti i tretë që nuk është kualifikuar asnjëherë për Grant të Performancës komunale, për shkak se Komuna ka dështuar t’i përmbush tri kushtet minimale: shpenzimi i buxhetit, opinioni pozitiv i Auditimit dhe vlerësimi i ligjshmërisë së akteve komunale”.
“Besoni është jo, në regjionin tonë, Parteshi është shpërblyer me grant nga MAPL/DEMOS, pasi kishte treguar performancë më të lartë se Komuna e Gjilanit”, ka thënë Haziri.
I pari i LDK-së së Gjilanit tha tutje se nëse kthehemi pak në retrospektivë, brenda viteve 2016-2021, Gjilani është shpërblyer me 8 grante si rezultat i performancës së lartë në shumën prej hiç më pak se 2.2 milionë euro, pas vlerësimit nga MAPL, organizata zvicerane DEMOS, në bashkëfinancim të Zyrës Zvicderane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Suedisë dhe Norvegjisë.
“Këto grante i kemi pas përkthyer në investime komunitare, duke ua bërë jetën më të dinjitetshme qytetarëve. E kemi ndërtuar pjesën e parë të Rrugës së Kumanovës, rrethrrotullimin tek hyrja në rrugën e Prishtinës, asfaltimin e rrugëve me elementet përcjellëse në lagjen Porodin, një pjesë bukur e mirë e çarshisë së Gjilanit e projekte tjera komunitare”, ka thënë Haziri i LDK-së.
Ai shtoi se dështimi nuk mund të mbulohet me mashtrim sepse Gjilani meriton shumë më shumë dhe shumë më mirë. /2LONLINE/