Bajram Hasani, anëtar i kryesisë së Nisma për Kosovën, njëherësh kryetar i Degës së këtij subjekti në Gjilan, ka komentuar në profilin e tij, një fotografi botuar në medie nga darka jozyrtare në një nga restorantet e Sarajevës, ku prezentë ishin edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, edhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Ai ka parashtruar disa pyetje për kryeministrin e Republikës së Kosovës Isa Mustafa.
Sot në Bosnjë-Hercegovinë do të mbahet samiti i Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, mbrëmë kryeministrat e këtyre vendeve darkuan së bashku. Mbrëmë nëpër medie pamë një fotografi nga darka e tyre jozyrtare në një nga restorantet e Sarajevës. Kryeministri i Kosovës në darkë me atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Natyrisht se edhe Kosova duhet të jetë pjesë e këtyre samiteve, por pas zhvillimeve të fundit nuk mund ta kuptojë Isa Mustafën që del në një darkë me Vuçiçin.
Duke e ditur se çfarë kryeministri kemi druaj se ai është në gjendje të mbrojë interesat e vendit tonë.
Përkundër shumë viteve dialog, nuk u arrit që Serbia të ndalë provokimet karshi shtetit tonë. E si mund të ulen tensionet kështu?
Serbia nuk dëshiron normalizim të raporteve dhe as që po i ndalë presionet dhe provokimet. Vetëm këtë vit u ndeshëm me shumë provokime, secili më i rëndë se tjetri: ndalimi i Ramush Haradinaj me kërkesë të Serbisë, i ashtuquajturi ‘treni rus’, muri në Mitrovicë dhe së fundmi edhe pengesa më e madhe për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.
Mos harro edhe plagën tjetër të shumë familjeve të Kosovës, që ende nuk dinë ku i kanë eshtrat e më të dashurve të tyre. Nëse ke pak guxim dhe dinjitet pyete pasardhësin e Millosheviqit edhe për disa dëshmi që kanë dalë ditëve të fundit se prej eshtrave të shqiptareve është shtruar asfalt.
Pra, Serbia po krijon argumente kurse Kosova nuk i shfrytëzon mijëra argumente qe i ka sepse përfaqësohet nga njerëz qyqar që nuk dinë të mbrojnë interesat e shtetit të vet. Jam i bindur se ti nuk do ta ngritësh asnjë prej këtyre temave, se jeni të tillë.
Dhe pas gjithë këtyre zhvillimeve natyrshëm lindin shumë pyetje.
A është normale që kryeministri i Kosovës kaq lirshëm të ulet dhe të darkojë me Vuciqin i cili me tërë arsenalin po e lufton Kosovën.
Meqë darkuat, a ja bërë me dije Vuciqit se Serbia duhet t’i tërheq fletarrestet për ish- ushtarët e UCK-së?
A e pyetet se si donë ta shtrijë paqen në Ballkan duke përgatitur akuza e dosje për ish luftëtarët e UCK-së?
Apo ratë dakord që të vazhdoni të punoni që edhe më tej Ramush Haradinaj të mbahet peng apo ekstradohet në Serbi?
Kryeministër, Vuçiçi dje është tallur me ty duke dhënë deklarata se do të tregojë për ushtrinë e Kosovës.
Si ndjehesh ti në atë tavolinë në darkë me njeriun që po e pengon krijimin e Ushtrisë së Kosovës?
Kryeministër a ke dëgjuar ti se Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë për pezullimin e bisedimeve me Serbinë?
Kryeministër ne nuk jemi kundër pjesëmarrjes së Kosovës në samite ndërkombëtare por a është koha e duhur të darkosh me Vuçiçin?