Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të organizuar në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në përkujtim të 21 vjetorit të luftës dhe rënies heroike të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe Familjes Jashari.
Në këtë ceremoni, që u mbajt në kuadër të manifestimit gjithpëpopullor “Epopeja e UÇK-së”, nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, morën pjesë përfaqësues të institucioneve, ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të Familjes Jashari, familjarë të dëshmorëve dhe të rënëve për liri, si dhe personalitete tjera dhe qytetarë të shumtë.
Kryeministri Haradinaj, para të pranishmëve, tha se heronjtë dhe dëshmorët e Kosovës, veçanërisht Jasharët dhe Komandanti legjendar Adem Jashari, na kanë dhënë këtë leksion: Vetëm një popull që është i gatshëm ta mbrojë lirinë me çmimin e jetës, e ka të ardhmen e sigurt!
Fjala e plotë e Kryeministrit Haradinaj:
Në marsin e 1998-ës midis Evrope u shua një familje e tërë, por bota e lirë u zgjua dhe nuk lejoi të zhdukej një popull, i cili, nga historia europiane dhe botërore kishte mësuar ndër breza të jetojë i lirë, në vend të vetin, me nder dhe dinjitet. Dhe duke i respektuar të tjerët që jetojnë pranë tij.
Heronjtë dhe dëshmorët e Kosovës, veçanërisht Jasharët dhe Komandanti legjendar Adem Jashari, na kanë dhënë këtë leksion: Vetëm një popull që është i gatshëm ta mbrojë lirinë me çmimin e jetës, e ka të ardhmen e sigurt!
Vota për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë dhe Kosovës dhe për Shërbimin për këtë forcë, e lartësoi emrin e atdheut.
Të zgjedhurit e popullit të Kosovës, me 107 vota i thanë po një projekti nacional që vjen në formë euroatlantike, që ka qëllim paqen dhe që i dedikohet paqes.
Shërbimi në Forcën e Kosovës do të jetë nder e privilegj, por edhe patriotizëm i gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë edhe atyre të komuniteteve etnike.
Sot, këtu, ri-takohen në rresht të gjithë brezat e çlirimtarëve të Kosovës, të mishëruar në flamurin e ushtrisë sonë të paqes dhe flamurtari i parë, eprori i të gjithë eprorëve, gjenerali ynë, gjenerali i gjithë gjeneralëve, Komandanti ynë Adem Jashari.
Ushtria e Kosovës vjen në paqe dhe ajo nuk do të përdoret kundër popullit të Kosovës, as në jug dhe as në veri. Por ajo do të jetë aty për paqe për të gjithë që jetojnë në Kosovë.
Në miqësi të përhershme me Amerikën dhe në partneritet me aleatët tanë strategjik, ne do t’ia dalim ta bëjmë Kosovën çfarë e ëndërruan çlirimtarët! Këtë ua kemi borxh brezave që vijnë.
Të dashur ushtarë dhe oficerë,
Nderi dha lavdia e çdo ushtrie është në doktrinën e tyre, doktrina jonë është e lirisë dhe është e paqes.
Lavdi heronjve dhe dëshmorëve që kujtojmë sot,
Lavdi komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari!