Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson, me të cilin bisedoi për Agjendën e Reformave Evropiane, me theks të veçantë për Programin për Reforma Ekonomike.
Fillimisht kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim të veçantë në të cilin kanë biseduar për angazhimin e Qeverisë së Kosovës në Agjendën e Reformave Evropiane dhe mbështetjen e këtij procesi nga Brukseli.
Pas takimit, kryeministri Haradinaj dhe Christian Danielsson morën pjesë bashkërisht në një takim për lansimin zyrtar të Programit për Reforma Ekonomike, ku të pranishëm ishin edhe ministra të Qeverisë së Kosovës, përfaqësues të BE-së dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e re do të jetë e fokusuar për zbatim të agjendës evropiane, të MSA-së, dhe të agjendës së reformave.
“E mirëpresim vizitën e sotme, ashtu siç e mirëpresim ndihmën e përhershme të znj.Nataliya Apostolova dhe ekipit së saj në Prishtinë. Reformat evropiane në Kosovë duhet jo vetëm t’i përvetësojmë por edhe të përshpejtojmë procesin në këto reforma. Duhet t’i identifikojmë resurset e nevojshme dhe njëkohësisht të mund të konfirmojmë kapacitetin tonë që marrëdhëniet me Komisionin Evropian dhe roli ynë si partner në këto marrëdhënie bilaterale të jetë ai që pritet nga ne”, theksoi kryeministri Haradinaj.
Kryeministri tha se Qeveria, në përvetësim të agjendës së reformës evropiane që është e negociuar dhe e dakorduar, është e gatshme që të lansojë edhe programin e reformave ekonomike për vitin që vjen dhe të merr përgjegjësitë për implementimin e këtij programi.
Kryeministri Haradinaj falënderoi z. Danielsson për përkushtimin që BE-ja ka për Kosovën që shpreh edhe perspektivën e Kosovës drejt BE-së. Kryeministri gjithashtu ka theksuar se Programi për Reforma Ekonomike nuk është përgjegjësi vetëm e Qeverisë, por edhe e shoqërisë civile, e partive politike dhe e të gjitha bashkësive dhe komuniteteve në vendin tonë.
“Zotohem për një proces gjithëpërfshirës për këtë agjendë në tërësi, por me theks të veçantë për Programin për Reforma Ekonomike”, tha kryeministri Haradinaj, duke premtuar se do t’i kushtoj kohë dhe energji dhe krejt fokusimin e nevojshëm që Programi për Reformën Ekonomike, ashtu si po lansohet, të jetë detyrë prioritare për Qeverinë e vendit.
Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson ka theksuar nevojën që shtetet e Ballkani Perëndimor duhet t’i bëjnë reformat e duhura në sundim të ligjit dhe në ekonomi. Programi i Reformave Ekonomike duhet të stimulojë zhvillimin ekonomik në Kosovë, për të krijuar vende të punës. Programi do të ndihmoj në dizajnin e politikave më kredibile ekonomike dhe në këtë mënyrë të përmirësojë jetën e popullatës dhe aspiratat drejt BE-së, ka vlerësuar Danielsson.
Pas lansimit, kryeministri Haradinaj së bashku me Drejtorin Danielsson, kanë mbajtur konferencë të përbashkët për medie.
Kryeministri Haradinaj në konferencë për media ka vlerësuar miratimin e Marrëveshjes së Instrumentit të Para Anëtarësimit, sot në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se kjo marrëveshje dëshmon përkushtimin e BE-së për qytetarët e Kosovës, për përmirësimin e jetës, ashtu sikurse është edhe qëllimi i këtyre reformave. Nga kjo Marrëveshje, Republika e Kosovës do të përfitoj rreth 70 milionë euro.
http://www.kryeministri-ks.net/?page=1,9,7056