“Sot përulemi me respekt para varreve, ku pushon Komandanti Legjendar, Heroi i Kombi tonë Adem Jashari, njëkohësisht familja Jashari, në shenjë respekti për këtë sakrificë, por edhe në shenjë respekti për të gjithë brezat për liri”,
Kështu ka deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj, i shoqëruar edhe nga ministra të kabinetit qeveritar, gjatë homazheve te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në kuadër të manifestimeve gjithëpopullore “Epopeja e UÇK-së”, organizime këto që po bëhen nën patronatin e Kryeministrit Ramush Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj tha se asnjëherë nuk e tepërt të thuhet, që një familje u shua, në mënyrë që të ngjallet ose të ringjallet një popull i robëruar.
“Në Prekaz ka ndodhur kthesa, falë së cilës sot jemi të lirë. Lavdi e përjetshme!”, tha kryeministri Haradinaj.
Pas homazheve, kryeministri Haradinaj, më pas ka vizituar Kullën e Jasharëve, ku është pritur nga Rifat Jashari, vëllai i komandantit Adem Jashari.
Manifestimet gjithëpopullore “Epopeja e UÇK-së”, për shënimin e 21-vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri, kanë filluar më 5 mars dhe do të vazhdojnë edhe nesër me natën e zjarreve në Prekaz dhe janë organizuar nën patronatin e Kryeministrit Haradinaj.