Bashkëpunimi politik, fuqizimi bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë dhe ndërtimi i raporteve të mira fqinjësore, ishin disa nga temat që kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i bisedoi në takimin e sotëm që zhvilloi me Grupin e Miqësisë së Mirë Kosovë – Kroaci, të kryesuar nga Andrija Mikuliq.
Kryeministri Haradinaj tha se Kroacia është partner politik dhe strategjik i Kosovës dhe gjithashtu është një shembull i mirë për t’u ndjekur në fushën e integrimeve euroatlantike.
“Mbështetja e shtetit kroat është shumë e rëndësishme për fazën në të cilën gjendet Kosova, në rrugën e integrimeve, liberalizimit të vizave, njohjet e reja, si dhe anëtarësimi në Interpol dhe UNESCO. Me popullin dhe shtetin kroat na lidhin shumë gjëra të përbashkëta nga e kaluara, por edhe për të ardhmen”, tha kryeministri Haradinaj.
Nga ana tjetër, Andrija Mikuliq, kryesues i ‘Grupi i Miqësisë së Mirë Kosovë – Kroaci’, falënderoi popullin e Kosovës për mbrojtje dhe ndërtimin e shtetit kroat në kohën kur Kroacisë i duhej ndihma e të tjerëve dhe shprehu qëndrimin e palëkundur karshi Kosovës, për rrugën e saj euroatlantike.
Kryeministri Haradinaj nga delegacioni kroat mori mbështetje edhe për përkrahjen e Kosovës në agjendën evropiane nga europarlamentarët kroatë.
Në këtë takim u diskutua edhe për mundësinë e organizimit të një forumi ekonomik të përbashkët Kosovë-Kroaci.
Në këtë takim të pranishëm ishin ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli dhe ambasadorja kroate në Kosovë, Marija Kapitanoviq.