Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim një grup prej 64 studentë, nga 31 shtete të ndryshme të botës, pjesëmarrës të Akademisë Verore Ndërkombëtare në Kosovë, organizuar nga Qendra Kosovare për Diplomaci në bashkëpunim me Kolegjin Universum.
Në këta takim, kryeministri Haradinaj tha se arsyeja pse Kosova ka qenë shumë me fat, është trajtimi i mirë që i është bërë nga shumë shtete të botës.
“Kosova është ndihmuar në kohën e krizës dhe në vazhdimësi nga shumë vende, madje edhe në ditët e sotme. Qeveria që unë drejtoj, ka një qasje për të përfunduar listën e punëve të shtëpisë, listën e gjërave që duhet bërë për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Kjo është ajo në të cilën jam fokusuar. Disa rezultate tashmë po i shohim, por kemi ende sfida para nesh”, tha kryeministri Haradinaj.
Para studentëve, kryeministri Haradinaj theksoi synimin që Kosova t’i bashkohet familjes së kombeve, të jetë anëtare e OKB-së, pjesë e familjes evropiane, NATO-s, duke shpresuar në marrëdhënie të mira bilaterale me secilin vend në botë.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj është përgjigjur në pyetjet e studentëve lidhur me rekomandimin pozitiv të liberalizimit të vizave.
“Evropa dje ka çliruar qytetarët e vet. Ne jemi evropianë. Fakti që na është njohur se kemi përmbushur të gjitha kushtet, është sukses i Evropës. Me këtë privilegj vijnë obligime shtesë dhe unë jam i bindur se do t’i përmbyllim obligimet tona në këtë proces. Mirëpresim rekomandimin e djeshëm dhe besojmë se përmes Parlamentit dhe shteteve individuale, do të korrim sukses në këtë rrugëtim. Edhe shtetet tuaja kanë vlerësuar se ne si Kosovë po i kryejmë detyrat e shtëpisë”, u shpreh kryeministri Haradinaj.
Po ashtu, kryeministri është përgjigjur edhe në pyetjet tjera të studentëve që kryesisht kishin të bënin me investimet e huaja në Kosovë, zhvillimin ekonomik, rininë dhe të ardhmen e tyre, si dhe integrimin në BE, duke rikonfirmuar qëndrimin se Kosova ka orientim euro-atlantik.
Kryeministri Haradinaj, ka folur edhe për të kaluarën e hidhur, duke thënë se Kosova ka ende çështje të hapura që duhet të mbyllen.
“Për të përfunduar këto çështje, është mirë të jemi ekip. Shpresojmë që Evropa, ShBA dhe shtete tjera do të na ndihmojnë t’i mbyllim të gjitha çështjet e hapura në këtë pjesë të botës. Por, Evropa ka një rol të rëndësishëm dhe mund të bëjë shumë në këtë drejtim”, tha kryeministri Haradinaj.
Në këtë diskutim me studentë, kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, si një ndër faktorët më të rëndësishëm për fuqizimin e vendit.
“Duam të përçojmë një mesazh dhe t’i inkurajojmë sipërmarrësit. Pra, ju lutem, investoni në Kosovë dhe na vizitoni, sepse ushqimi ynë, mikpritja, vendi dhe njerëzit tanë janë shumë të jashtëzakonshëm. Duke vizituar Kosovën do ta mësoni të vërtetën tonë”, tha kryeministri Haradinaj.