Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për nder të shënimit të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, sot ka bërë homazhe te Shtatorja e Zahir Pajazitit, te varri i ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
“Jemi në prag të festës së 28 Nëntorit, një festë që i bashkon shumë festa, por ajo që është shumë me rëndësi është pavarësia e shtetit shqiptar. Fatmirësisht edhe një pjesë e atdheut tonë u bë më vete, Kosova. Tani nderojmë aty ku është kontributi më i madh për liri. Jemi në Prekaz, në vendin ku është bërë kthesa me rënien heroike të Familjes Jashari, të komandantit legjendar Adem Jashari. Duke nderuar këtu, përulemi me respekt para gjithë dëshmorëve të kombit kudo që janë të të gjitha kohërave. Lavdi”, tha kryeministri Haradinaj, pas homazheve në Prekaz.
Para homazheve, kryeministri Haradinaj ka qëndruar për vizitë në Familjen Jasharaj, ku u prit nga përfaqësuesi i Familjes, Rifat Jashari, vëllau i Komandantit Legjendar, Adem Jashari.
http://www.kryeministri-ks.net/?page=1,9,7335