Sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, kjo Lëvizje ka shumë vite që në mënyrë institucionale ka bërë përpjekje të vazhdueshme për adresimin dhe ndërgjegjësimin në lidhje me krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidit dhe për ndjekjen e kriminelëve.
Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar padi për strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë pas shpalljes së Pavarësisë në gjykatat komunale të Republikës së Kosovës. Pastaj, prej se është në Kuvend, ka marrë iniciativa për adresimin e krimeve, çështjes së të pagjeturve, kushteve ndaj Serbisë dhe dëmeve materiale të luftës. Vazhdimisht për arsye të ndryshme, Lëvizja Vetëvendosje është penguar qoftë në institucione, qoftë në forma të tjera nga mazhorancat qeverisëse në të gjitha legjislaturat. Madje, midis dhjetëra iniciativave për rezolutën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe opozitës së asaj kohe në lidhje me krimet e luftës, dorëzuar në kuvend me 3 gusht të vitit 2015, është publike vota kundër nga mazhoranca që rezoluta të vendosej edhe si pikë e rendit të ditës.
Kujtojmë, po ashtu, votimin që ka ngjarë në mars të vitit 2013 lidhur me rregullimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Po në vitin 2013, me 11 korrik, pushteti miratoi edhe ligjin për amnistimin e të gjithë strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë, në mesin e të cilëve ka kriminel të dëshmuar.
Në konferencën e mbajtur sot, deputeti Sami Kurteshi i përsëriti këto çështje duke paraqitur hapat, të cilat për vite me radhë Lëvizja i thekson.
Si e mendon Lëvizja Vetëvendosje adresimin vendor të krimeve të luftës:
• Themelimi me ligj i institutit për hulumtimin e krimeve të luftës me mision të përcaktuar qartë, financim adekuat dhe me njerëz profesionistë dhe kompetentë. Instituti duhet të jetë i përhershëm dhe në Ministrinë e Drejtësisë;
• Miratimi i propozimit të Lëvizjes për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës;
• Krijimi i komisionit parlamentar të përhershëm për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, për gjenocid dhe për dëmet e tjera të shkaktuara;
• Krijimi i një prokurorie të specializuar për krimet e luftës me një numër të mjaftueshëm prokurorësh të mirëtrajnuar. Po ashtu, krijimi i një dhome të veçantë gjykimi brenda sistemit gjyqësor të Kosovës me gjykatës të specializuar;
• Krijimi i departamentit në Policinë e Kosovës specializuar për krimet e luftës, për ndjekjen dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë;
• Krijimi i një njësie të veçantë e të specializuar brenda Agjensisë së Kosovës për Forensikë;
• Miratimi i një legjislacioni të veçantë për mbajtjen dhe ruajtjen e identitetit dhe të dhënave të viktimave të krimeve;
• Krijimi i një dege të veçantë brenda Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin Juridik, për edukimin dhe specializimin e profesionistëve për këto çështje dhe mbështetja për edukim të vazhdueshëm brenda e jashtë vendit.
Të gjitha këto janë të mundshme dhe të realizueshme brenda institucioneve të Kosovës, por duhet vullnet politik dhe dedikim financiar adekuat dhe përgjegjësi institucionale për realizimin e këtyre pikave.
Po ashtu, në ditët e fundit nëpërmjet një shkrimi të publikuar Prof. Robert Muharremi ka dhënë një propozim që ndahet edhe nga profesionistë të tjerë të fushës dhe që duhet trajtuar seriozisht nga institucionet shtetërore:
• Anëtarësimi i Kosovës në Konventat e Gjenevës dhe Konventën kundër Gjenocidit;
• Padia e Kosovës kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ne në parim pajtohemi me to. Secilën prej këtyre çështjeve e kemi trajtuar në kohë të ndryshme në Kuvend, por jo vetëm aty, dhe do të vijojmë ta bëjmë edhe më zëshëm, thotë Sami Kurteshi i Vetëvendosjes.