Komuna e Vitisë po shënon 4 Korrikun -Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me këtë rast Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, përfaqësues të KFOR-it Amerikan, Drejtori i DKRS-së Milot Lala, por edhe qytetarë të shumtë në shenjë respekti dhe mirënjohje për shtetin mik të Kosovës, SHBA-të, kanë bërë homazhe pranë bustit të diplomatit Amerikan, Richard Holbrooke në Viti.
Këtyre homazheve ju janë bashkangjitur edhe shumë qytetarë të komunës së Vitisë, kryesisht të rijnë dhe të reja të cilët po marrin pjesë në HIKING të organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.
Para nisjes së këtij grupi për në një ecje të përbashkët në viset rurale të Vitisë, kryetari Haliti i falënderoj të gjithë ata të cilët janë bërë pjesë e shënimit të Ditës së Pavarësisë së ShBA-së, duke potencuar se shënimi i kësaj dite bëhet në shenjë respekti për miqtë amerikan. „ Ju faleminderit të gjithë juve që ju jeni përgjigjur pozitivisht thirrjes për të marrë pjesë në shënimin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pra të një shtet i cili gjithmonë ka qenë dhe është përkrah të shqiptarëve në veçanti edhe të Kosovës dhe atë në të gjitha etapat e historisë. Pjesëmarrja juaj në këtë aktivitet përçon edhe një mesazh se ne ju jemi përjetësisht falënderues miqve tanë për atë çka kanë bërë dhe po bëjnë për neve. Gëzuar Dita e Pavarësisë së ShBA-së“, u shpreh Kryetari Haliti.
Pjesëmarrësit në HIKING do të bëjnë një ecje në këmbë prej qytetit të Vitisë, nëpër fshatrat : Beguncë, Buzovikë, Kolishtë dhe Debelldeh kurse këtij grupi do t’i prijë Milot Lala, Drejtor i DKRS-së në Viti.