“Telenovela “Lumi Mirusha” nuk ka të sosur. Episodet sa vijnë e shtohen, e ngjarja vazhdon të bëhet gjithnjë e më dramatike.
Premtohet rregullimi, bëhen planifikime, ndahet buxheti, nisin punimet dhe… premtohet rregullimi, bëhen planifikime, ndahet buxheti, nisin punimet…pra, vazhdon i njëjti avaz dhe Zgjedhjet vijnë e shkojnë.
Ky projekt është devijuar nga ky pushtet dhe është në kundërshtim me dispozitat ligjore”.
Kështu thuhet në një reagim të Ardianë Halimit nga Zyra për informim e Lëvizjes Vetëvendosje, sipas të cilës, qytetari i Gjilanit është i detyruar të duroj erën e rëndë në mes të qytetit dhe të përballet me mundësitë e shkaktimit të sëmundjeve nga kjo papastërti, ndërsa telenovelës nuk është kah i vjen fundi.
Sipas Halimit, telenovela të tilla, kanë brenda tyre intriga, gënjeshtra, tradhti, manipulime e çka jo tjetër se, pos ndonjë gjëje të mirë për qytetarin e lodhur të Gjilanit nga kjo keqqeverisje.
“Qytetari i Gjilanit nuk dëshiron të jetë pjesë e këtyre telenovelave që jo vetëm se nuk kanë cilësi, por nuk mbarojnë kurrë. Ai tash më e ka kuptuar se ndryshimi është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm. Këta njerëz do të shkojnë në shtëpi së shpejti, pasi shumë shpejtë do të ndëshkohen me votë nga qytetari i Gjilanit”, thotë Halimi.
Duke pretenduar fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale të tetorit, Ardianë Halimi thotë se telenovelat do t’i përfundojnë më 22 tetor, atë ditë kur punët në dobi të qytetarit do të fillojnë.