Haga nuk mund t’ia merr Ramushit shkëlqimin e luftës për liri

Haga nuk mund t’ia merr Ramushit shkëlqimin e luftës për liri

Pengesa e quajtur Ramush Haradinaj tash e tutje nuk ekziston dhe mbetet të presim se çka do të sjell e nesërmja pa Ramushin në krye të Qeverisë së Kosovës.

Shkruan: Mehmet PRISHTINA

Lajmi më ri që u shoqërua me habi e paqartësi, vazhdon të jetë rasti i Ramush Haradinajt, i cili u tërhoq nga pozita e Kryeministri të vendit, pas ftesës që ai kishte marrë nga Gjykata Speciale e Hagës, në cilësinë e ‘të dyshuarit’.

Pse befasi dhe paqartësi?

Askush nuk e priste se pikërisht kryeministri i Kosovës, pikërisht në këtë interval kohor, do të jetë në shënjestër të kësaj gjykate.

Kurse paqartësia ka të bëjë me prapavinë e këtij procesi, që për shumë kënd mbetet një mjegull që futet qëllimisht mbi qiellin e Kosovës për të turbulluar situatën politike, në prag të vendimeve historike që mund t’ia ndryshojnë kursin disa zhvillimeve që mund të jenë të disfavorshme për vetë Kosovën.

Ramush Hardinaj nuk është një emër i thjeshtë. Ai është emblemë e një krenarie që u kunorëzua me shumë sakrifica në shumë beteja të UÇK-së, të cilat, pa përjashtime kanë lavdinë e tyre qē do të jetojnë sa të ketë jetë në tokë, bashkë me lavdinë do të jetojnë edhe Heronjtë e kësaj lufte, Adem dhe Hamëz Jashari. Luan e Shkëlzen Haradinaj, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Abeja, Agimi e Sali Çeku e mijëra heronj e dëshmorë tjerë të Kosovës tonë.

Por, lavdia ka edhe Heronjtë e gjallë, të cilët me rrëfimet e tyre na mësuan edhe më për së afërmi betejat e lavdishme, betejat mitike, beteja që kur i dëgjonim nga ish luftëtarët tanë na dukeshin si beteja e 300 spartanëve nga historia e lashtë.

Lufta e UÇK-së ishte më shumë se heroizëm, epike, jo ndoshta nga përmasat e tyre por nga matematika e numrave dhe armëve të përdorura. Të gjitha ato kanë dicka nga lufta epike e 300 ilirospartanëve kundër dhjetëra mijëra persëve në lashtësi.

Kjo luftë për çlirim ka diçka hyjnore dhe të papërshkrueshme me fjalë në letër.

Epike, me përmasa të padëgjuara më parë dhe jashtë çdo strategjie që ka mundur të bëjë dikush deri sot, ishte edhe lufta e Komandantit të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

Cilindo rrëfim ta dëgjosh, nga cili do luftëtar i atyre betejave do të mësosh një të vërtetë tē madhe, luftën titanike, të lavdishme të djemve e vajzave tē udhëhequr nga Ramush Hardinaj kundër mijëra trupave, te armatosura me armët më moderne te kohës dhe aviacion serbe.

Ramushin nuk e ndali as rënia e dy vëllezërve në frontet e luftës Gjeneralëve Shkëlzen dhe Luan Haradinaj, e as vështirësitë tjera, ai vazhdoi deri në liri.

Kam dëgjuar shumë rrëfime nga ato beteja në Dukagjin, jo strategji po rrëfime që nga Gjeneralët e Lavdisë e deri te ushtarët që ndoshta edhe nuk njihen mes vete por kanë një të përbashkët: turpërimin e Armatës Jugosllave dhe fitoren e spartanëve të UÇK-së.

Ramushi, doli fitimtar nga lufta për liri, por nuk e ndali luftën për zhvillimin e Kosovës së lirë. Duke parë ndasitë e mëdha politike pas lufte ai u kyç në jetën politike duke bërë koalicion me ish Presidentin Ibrahim Rugova dhe duke i dhënë kështu Kosovës edhe shembullin se mbi dallimet e çfarëdo forme qofshin ato, Kosova është e para.

Puna e tij si Kryeministër u ndërpre pas 100 ditëve nga ana e Tribunalit të Hagës nga ku doli fitimtar.

Haradinaj edhe njëherë, për të dytën herë u përball me Hagën por prapë doli fitimtar duke rrëzuar akuzat e Serbisë fashiste dhe këlyshëve të tyre kundër luftës së UÇK-së.

Ramushit dhe shumë luftëtarëve tjerë as Haga e askush nuk mund të iu marr asnjëherë shkëlqimin e luftës për liri. Ata janë vetë liria që ne sot e përjetojmë.

Akuza nga ana e Gjykatës Speciale, tregoi edhe njëherë se gabimet e disa politikanëve kosovar do të vazhdojnë ti kushtojnë Kosovës në rrugën e saj për zhvillim.

Dorëheqja si kryeministër, tregoi se Ramush Haradinaj vazhdon që edhe më tej tē ruaj nderin dhe moralin si luftëtar dhe burrështetas i vërtetë i Kosovës.

Taksa ndaj mallrave serbe, krijimi i ushtrisë, rritja e zhvillimit ekonomik janë vetëm disa nga të arriturat e punës gati dyvjeçare të Kryeministrit Haradinaj deri dje.

Ai tregoi edhe njëherëë se Kosova është mbi gjithçka.

Personalisht, mendoj se tani Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi kanë ardhur në një moment tjetër politik. Është momenti që shqiptarët ti kthehen platformës së patriotëve të mëdhenj tē historisë sonë kombëtare, kurse shembullin e ecjes më tutje të kombit ta kërkojmë tek njëri ndër ideologët kryesorë të çlirimit dhe bashkimi kombëtar të shqiptarëve, Hasan Prishtina, i cili tërë jetën e tij e kishte lidhur me fatin e kombit e Atdheut.

Përballja me drejtësinë nuk është kurrfarë risie për Ramush Hardinaj, për arsye se ai këtë e ka provuar në disa raste, por ajo që është për t’i habitur edhe ekspertët e jurisprudencës është fakti se si është e mundur që pikërisht Ramush Haradinaj ishte ndër politikanët e rrallë të Kosovës që i sfidoi të gjitha filtrat e drejtësisë ndërkombëtare, të ftohet sërish nga një Gjykatë Speciale, e cila gjoja qenka më drejtësi kërkuese se sa gjykatat pararendëse, në të cilat Ramushi u shpall i pafajshëm.

Tani kur sërish ftohet në Hagë, Ramush Haradinaj, por në cilësinë e të ‘dyshuarit’ askush nuk beson se ky është një gjykim thjeshtë kundër një personi. Metodologjia mbi të cilën bazohet puna e kësaj Gjykate, lë për të kuptuar, nën rreshta, se ajo megjithatë nuk është imune nga forca të jashtme të cilat janë të interesuara ta shantazhojnë pikërisht këtë faze të proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova. Nëse dikush ishte pengesë që të mos ndodhin disa zhvillime degraduese në Kosovë, ishte pikërisht Ramush Haradinaj, dhe kjo si duket dikujt nuk i konvenoi, andaj edhe u kërkua eliminimi i tij si shef i ekzekutivit të Kosovës.

Ka të ngjarë që Ramushi sërish të shpallet i pafajshëm, por efekti që dëshirohet të arrihet me eliminimin e tij politik, është kauzë e atyre që duan të kryejnë punë në këtë fazë pa të. Dhe kjo është shumë e rëndësishme, duke i marrë parasysh edhe disonancat e qëndrimeve politike që u shfaqën muajve të fundit rreth vendimit për vendosjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe, ku Ramush Haradinaj ishte gati i vetëm kundër të gjithëve, brenda e jashtë Kosovës.

Pengesa e quajtur Ramush Haradinaj tash e tutje nuk ekziston dhe mbetet të presim se çka do të sjell e nesërmja pa Ramushin në krye të Qeverisë së Kosovës.

Por, armiqtë e shtetit të Kosovës kanë harruar se edhe pas Ramushit, çdo shqiptar i ndërgjegjshëm është pengesë për realizimin e skenarëve ogurzezë për Kosovën. Këtë e ka dëshmua edhe historia, sidomos periudha pas eliminimit fizik të Hasan Prishtinës, kur vetëdija politike kombëtare e shqiptarëve u zgjua edhe më tepër, në saje të ndikimit të fuqishëm që kishte lënë kjo figure e madhe kombëtare në brezat e mëvonshëm.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE