Florent Hadërgjonaj e ka veshur për të herë të parë fanellën e Kombëtares së Kosovës. Këtë e ka bërë në takimin që e pati me presidentin Agim Ademi, pasi ky i fundit ia bëri dhuratë me rastin e ardhjes në Kosovë për grumbullimin e ndeshjeve të qershorit kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë.
Florent Hadërgjonaj e ka falënderuar presidentin Ademi për pritjen dhe përkrahjen, derisa ka thënë se vendimin për të luajtur me Kosovën e ka marrë me zemër.
“Kam ardhur më herët se lojtarët e tjerë në mënyrë që të integrohem më lehtë. Me padurim po e pres të filloj stërvitjet me bashkëlojtarët e mi të rinj dhe pa dyshim që kur vjen momenti për t’u paraqitur në ndeshjen e parë do të jetë një ditë e veçantë jo vetëm për mua, por për të gjithë familjen time”.
“Këtu është vendlindja e prindërve të mi dhe unë kam qenë në Kosovë sa herë që më është dhënë mundësia, por tash do të jetë një ndjenjë krejt ndryshe ngase do ta përfaqësojë vendin e origjinës time”, është shprehur Hadërgjonaj.
Në takim ishin edhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, menaxheri Bajram Shala dhe kryetari i grupit të tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha.
Në hyrje të selisë së FFK-së, Hadërgjonaj u prit nga një grup i Dardanëve, të cilët e brohoritën emrin e tij dhe e duartrokitën për vendimin e marrë javë më parë që t’i bashkohet familjes Dardane.