Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, prej sot, më 15.4.2019, nisin ekskursionet mësimore njohëse të nxënësve e mësuesve nga diaspora në atdhe.
Si pjesë e ekskursionit, sot Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike e vizitoi grupi i parë i nxënësve dhe mësuesve nga shkolla shqipe në Suedi. Ata i priti zv.ministri i MDIS-it, Isni Kilaj. Ai theksoi se qëllimi i Ministrisë së Diasporës është ruajtja e lidhjeve mes diasporës dhe vendlindjes , dhe kjo arrihet edhe përmes aktiviteteve të ndryshme kulturore e arsimore, siç janë ekskursionet mësimoret, përmes të cilave mësohet për historinë, kulturën dhe trashëgiminë e atdheut. Ekskursionistët nga Suedia sot e vizituan Kuvendin e Kosovës dhe kazermat e FSK-së.
Gjatë qëndrimit të tyre në atdhe, ata do të vizitojnë shkolla, qytete e monumente të ndryshme kulturore dhe historike në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.
Ky aktivitet, me karakter njohës mësimor, është i rëndësishëm për nxënësit nga diaspora, sepse u mundëson njohjen e atdheut, thellimin e njohurive për identitetin, gjuhën, kulturën dhe historinë e vendit të tyre. Ekskursioni zgjat pesë ditë.
Ekskursionet do të vazhdojnë me grupe të tjera të fëmijëve nga Austria, Gjermania, Greqia, Kroacia dhe Sllovenia. Nga secili shtet pjesëmarrës do të jenë nga 50 veta.