Me ftesë të Kryetares së Grupit të Miqësisë Kanada-Kosovë në Parlamentin e Kanadasë, deputetes Anita Vandenbeld, Grupi i Miqësisë Kosovë-Kanada i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryetarja Mimoza Kusari Lila dhe me përbërje të anëtarëve Armend Zemaj, Enis Kervan dhe Mirlinda Sadiku, mori pjesë në takimin konstituiv të Grupit të Miqësisë Kanada-Kosovë në Parlamentin e Kanadasë, të realizuar virtualisht.
Përveç deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të pranishëm në takim ishin edhe deputetët homologë nga Parlamenti i Kanadasë: Anita Vandenbeld, kryetare, Yvan Baker, Julie Dabrusin, Sébastien Lemire, Kyle Seeback, Sammer Zuberi, anëtarë të Grupit të Miqësisë me Kosovën në Parlamentin kanadez, si dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu.
Vlerat e përbashkëta të pluralizmit, barazisë gjinore dhe demokracisë, mundësitë e forcimit të raporteve bilaterale me iniciativa të reja, mundësitë e bashkëpunimit ekomomik – me fokus zhvillimin bilateral tregtar dhe bashkëpunimin në fushën minerare, mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimit, me fokus programet shkëmbimit universitar, si dhe mundësitë e ofrimit të përkrahjes për anëtarësim të plotë të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me fokus finalizimin e suksesshëm të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshill të Evropës, ishin temat e diskutimit mes dy grupeve homologe parlamentare.
Nga parlamentarët kanadezë u përgëzua pozicionimi i Republikës së Kosovës në raport me agresionin e paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës dhe ndihma të cilën institucionet e vendit dhanë për Ukrainën. Gjithashtu, u përgëzuan partitë politike të vendit për unitetin e tyre karshi kësaj teme.
Diskutimit i parapriu zgjedhja e kryetares dhe Komitetit Ekzekutiv të Grupit i të Miqësisë Kanada-Kosovë në Parlamentin e Kanadasë.
Kryetare e Grupit të Miqësisë Kanada-Kosovë në Parlamentin e Kanadasë u rizgjodh deputetja Anita Vandenbeld.
Në fund të takimit grupet homologe rikonfirmuan përkushtimin e tyre të fuqishëm për të forcuar më tej bashkëpunimin parlamentar dhe ndërshtetëror midis Kosovës dhe Kanadasë. /2LONLINE/