Në natën e tretë të festivalit “Talia e Flakës”, festivalit të dramës origjinale shqipe, në Gjilan, u dha shfaqja “Graviteti”, në produksion të Teatrit Oda- Prishtinë, me tekst të Lirak Çelajt dhe në regji të Florent Mehmetit. Aktorët që luajtën në këtë shfaqje, ishin Daniela Markaj, Flamur Ahmeti, Kaltrinë Zeneli dhe Leonit Maloku.
Nga: Avni SHkodra
Teksti përmbante kronika ngjarjesh shqiptare që nga historia e deri në ditët e sotme, si: Historia e Skenderbeut dhe eksponatet e tij të ekspozuara në muzeun e Vienës, migrimi i shqiptarëve, kthimi i tyre nga mërgata për të kontribuar në luftën për liri, kthimi i tyre pas luftës në Kosovë, përballja me dëshprimin dhe sfidat e mbijetesës së pasluftës, sjelljet e të rinjëve shqiptarë nëpër klubet e natës në vendet gjermanofolëse e deri tek sukseset e Kosovarëve në arenën ndërkombëtare. Të gjithë këta shqiptarë, të shpërndarë nëpër botë, tërhiqen nga forca “gravitacionale” e vendit amë dhe kanë një tendencë që në ndonjë mënyrë të kthehen në vendin e vet ose të kontribojnë për atë në forma të ndryshme, për përmirësim të imazht dhe për ta ndjerë vetën krenarë me identitetin e tyre.
Skenografia përbëhej nga disa korniza të ngritura më lartë nëpër skenë, përmes të cilave, regjisori kalonte nga koha në kohë, nga situata në situatë. Kornizat ishin në funksion të shfaqjes, të cilat herë shfrytëzoheshin si fotografi të muzeut, herë si ekrane televizive, për ta treguar një vend të largët, kornizë të fotografisë, e të tjera ngjasime.
Shfaqja përmbante edhe pjesë të koreografisë dhe këndimit, gjithmonë duke u integruar me kornizat e vendorua më lart skenës si dhe me idenë regjisoriale.
Aktrimi në shfaqje ishte në funksion të idesë, jo një formë klasike e të aktruarit në teatër, si qasje, por me ndërrime të shpeshta të personazheve, gati pas çdo fikje dhe ndezje të dritave.
Ishte për t’u veçuar pra ideja regjisoriale, në të cilat ide, shfaqja nuk ka një rrjedhë të ngjarjes në konvencionin klasik apo aktorët nuk luajnë vetëm një personazh të veçantë, por i shërbejnë idesë regjisoriale, duke luajtur disa personazhe, me ndërrime të shpeshta, me kronika, me situata të shpeshta, që lirisht mund të themi se është një trend modern i të bërit teatër edhe pse mendoj që realizimi mund të përmirësohej edhe më tepër, duke u nisur nga teksti, loja dhe ndoshta edhe nga zhvillimi i idesë regjisoriale gjatë krijimit të shfaqjes.
Gjithësesi, vlenë të theksohet kontributi i teatrit “ODA”, për zhvillimin e artit dhe kulturës në Kosovë përmes projekteve të ngjashme sikur “Graviteti”, në qasje, meqë jo rralë ky institucion ka prezantuar artin edhe në shtetet e zhvilluara, me shfaqje kualitative dhe alternative, mëse të nevojshme për rrjedhat bashkëkohore teatrore.