Unë ndihem krenare që jam kandidate e LVV-së për Asamble Komunale të Gjilanit, ku edhe do të jap kontributin tim të madh
Shkruan Arbëreshë Kryeziu-Hyseni
“Nuk po ka punë!”…
“Kemi mbet rrugëve!”…
“Nuk po dimë nga t’ia mbajmë”…
“Na shkojë rinia, na e shkatërruan”,…
A nuk është turp që edhe pse kanë kaluar 18 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë, këto përgjigje i merr nga shumica e të rinjve të vendit tonë, të cilët enden rrugëve të pashpresë dhe të zhgënjyer deri në palcë.
E kush është përgjegjës për këtë gjendje?! Si gjithmonë, faji mbetet jetim. Sepse të gjithë “punuan”, të gjithë “e deshën” një të mirë më të madhe për këtë vend, por që në të vërtetë askush nuk e solli. Nuk e sollën, sepse punuan vetëm për vete dhe ato të mira i morën vetëm për vete.
Mungesa e një arsimi cilësor, e një sistemi shëndetësor kualitativ dhe të përgjegjshëm, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe gjenerimit të vendeve të punës, po e nisë drejt shkatërrimit çdo gjeneratë të re që doli që nga paslufta, e që nuk e realizuan asnjëherë ëndrrën e tyre të madhe që e patën për këtë vend.
E kush është fajtori për këtë?! “Si gjithmonë, faji mbetet jetim”-do të thoshin
ata.
“JO MË!”-do të thoshim ne.
Jo më, sepse më 11 qershor të këtij viti, qytetarët e Kosovës e treguan fajtorin e vërtetë dhe të vetëm të këtij mjerimi që e ka pushtuar ndër vite vendin tonë. Sepse më 11 qershor të këtij viti, qytetarët ia dhanë besimin e tyre Lëvizjes Vetëvendosje!, duke e nxjerrë të parën në 10 komuna të Kosovës, e në mesin e tyre edhe në Gjilan.
Duke qenë dëshmitarë të asaj se Lëvizja Vetëvendosje! ishin të vetmit që i qëndruan besnik fjalëve të tyre dhe duke e parë vullnetin e madh të qytetarëve që Lëvizjes ti besojnë fitoren, u ndjeva krenare që pata mundësinë të jem pjesë e listës së kandidatëve për Asamble Komunale, sepse e pashë për herë të parë një rrugë pa pengesa, që po i ofrohej secilit që dëshiron të kontribuoj në të mirë të vendit të tij.
Kjo është një dëshirë e madhe e imja, diçka që do të vazhdojë ta bëjë gjithmonë në çdo aspekt dhe në çdo formë. Do të punojë më zemër, sepse me zemër dua të ndodhë ndryshimi i madh në vendin tim. Sepse me zemër, dua të shoh çdo të ri të mbushur me ambicie, me vullnet dhe me shpresë. Sepse me zemër dua që ëndrrat e secilit prej tyre, të lidhen me këtë vend.
Dhe, fatmirësisht nuk mund të veprojë ndryshe, sepse edhe unë jam pjesë e atyre që i qëndrojnë prapa fjalës së dhënë.
Edhe unë jam pjesë e ndryshimit të madh që po vjen për Gjilanin.