Me homazhe te Varrezat e Dëshmorëve, Komuna e Gjilanit ka nisur aktivitetet në shënim të 20-vjetorit të rënies së heroit të kombit, Abdullah Tahiri.
“Bashkë me shumë të burgosur të luftës, Abdullah Tahiri natyrisht që ishte e pamundshme që të rezistojë ndryshe, pos me trupin e tij dhe ashtu siç ka qenë edhe në jetë, i vrullshëm dhe kryengritës, ka ra dëshmor për këtë vend. Për këto pesë vite, Gjilani po vazhdon traditën e respektit dhe gjunjëzimit për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut të veçantë, jam shumë i nderuar që në këtë mandat po realizohet edhe shtatorja e Abdullah Tahirit”, ka thënë me këtë rast kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
“Kam pasur fatin që të njihem me të në dy faza të rënda, prej vitit 1989 deri në burgosje, por edhe në fazën e burgosjes në burgun hetues të Gjilanit e kam kaluar bashkë me të, duke qenë pjesë e grupit të përbashkët të akuzuar për terrorizëm dhe veprimtari armiqësore nga regjimi i kohës. Jam krenar që këto dy veprimtari i kam kaluar me të. Lavdi e përjetshme”, theksoi Haziri.
Haziri ka paralajmëruar se këtë vit do të vendoset edhe shtatorja e Mulla Idriz Gjilanit, riorganizimi dhe renovimi i shtatores së Agim Ramadanit, fillimi i inicimit për shtatoren e Kadri Zekës dhe do të vlerësohet edhe figura e Ramiz Cernicës.
Ndërkohë, nën përkujdesjen dhe iniciativën e kryetarit Haziri, në ora 16:00 do të vihet gurthemeli i shtatores së heroit afër kazermës së FSK, për të përfunduar me akademinë përkujtimore në teatrin e qytetit në ora 17:00.