Drejtoria për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, ka mbajtur sot sesionin informues për grantin që është i dedikuar për mbështetjen e sektorit privat, konkretisht gratë në biznes, që për qëllim ka efiçiencën e energjisë, teknologjinë e avancuar dhe planifikimin e qëndrueshëm.
Kjo skemë e granteve financohet nga Fondacioni “Mileniumi i Kosovës” me bashkëfinancim nga Komuna e Gjilanit, ndërsa zbatohet në partneritet me organizatën gjermane “Help”.
Valbona Tahiri, drejtoreshë për Zhvillim Ekonomik, ka konfirmuar gatishmërinë e Komunës së Gjilanit që gjatë këtij procesi sa është e hapur thirrja për aplikim, do të jenë asistues dhe mbështetës direkt të grave aplikuese në mënyrë që të ketë sa më shumë përfituese.
“Ne gjithmonë kemi qenë mbështetës të sektorit privat dhe të bërit biznes. Fal skemës së granteve dhe partneritetit të fuqishëm me organizatën gjermane “Help”, Komuna e Gjilanit është mbështetëse dhe në këtë aspekt dhe përpos bashkëfinancimit, do të jemi asistues dhe shpresojmë që të kemi sa më shumë gra përfituese. Është koha e limituar për të dorëzuar aplikacionet prandaj inkurajojmë të gjitha gratë ndërmarrëse apo ato që planifikojnë të hyjnë në biznes që ta shfrytëzojnë maksimalisht kohën e mbetur për aplikim”, ka theksua Tahiri.
Ndërsa, Antigona Krasniqi, nga organizata gjermane “Help”, ka elaboruar në detaje grantin dhe mënyrën e aplikimit duke sçaruar në detaje mënyrën e aplikimit, përparësitë dhe domosdoshmëritë që ka gjatë aplikimit për grant dhe bashkëpjesëmarrjes.
“Grantet janë me pjesëmarrje financiare prej 15 për qind dhe kjo është vetëm për të garantuar qëndrueshmërinë e grantit. Vlera më e lartë e grantit është 3 mijë euro dhe varësisht nga nevojat tuaja mund aplikoni me vlerën e kërkuar. Aplikacionin dhe mënyrën e aplikimit e gjeni në linkun: https://help-kosovo.org/%C3%ABomen-in-energy-simple…/” ka thënë ajo.
Afati i fundit për aplikim në fushën e efiçiencës dhe teknologjisë është data 4 qershor 2021, deri në orën 22:00. /2LONLINE.com/