Komuna e Gjilanit së bashku me donatorët kanë vënë sot gurthemelin e shtëpisë për familjen e Refik Aliut nga Capari, në kuadër të mbrëmjes humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”, e realizuar me iniciativë të kryetarit Lutfi Hazirit në tetorin e vitit 2014.
“Falënderoj nga zemra donatorët e kësaj shtëpie dhe gjithë bashkatdhetarët tanë që kanë ndihmuar familjen e Refik Aliut nga fshati Capar, që ta përballoj gjendjen e rëndë të banimit që kishte deri më tani familja e tij. Ndihma e qytetarëve të Gjilanit, e kompanive dhe e bashkatdhetarëve tanë në mërgatë, po bënë që numr më i madh i familjeve të jenë përfituese. Ne gjatë ditës së djeshme kemi përuruar një shtëpi, e cila është ndërtuar, po ashtu, nga bashkatdhetarët tanë nga Suedia”, ka thënë Haziri.
Ai ka përsëritur se rasti i familjes në Capar është i veçantë dhe për t’u përshëndetur dhe falënderuar gjithë diaspora, sepse pa pjesëmarrjen e fuqishme të tyre në jetën dhe zhvillimin në përgjithësi, jo vetëm Gjilani, por gjithë Kosova do të ishte në një gjendje jashtëzakonisht më të keqe.
“Më gëzon poashtu fakti për jehonën që ka bërë gala mbramja humanitare dhe më nuk jemi duke i numruar shtëpitë që po ndërtohen, e numri i tyre e ka kaluar shifrën 45. Këtë vit e kemi në plan ndërtimin edhe të gjashtë shtëpive të tjera, por edhe një numër i madh i shtëpive janë renovuar, këtë vit kemi shtuar fondin edhe për 130 mijë euro, si fond i Komunës për ndërtim të banimit social. Kështu ne pretendojmë ta përmbyllim këtë problem të banimit social dhe po punojmë që të mos kemi kategorinë homles të qytetarëve”, ka deklaruar ai mes tjerash.
Kurse, Sali Abdullahu, në emër të donatorit nga Zvicra, Vezir Ramushit, ka thënë se mërgata e cila u largua nga Kosova për një kafshat të gojës, sot po ia kthen përsëri këtij vendi pasurinë dhe mundin e të mirat me mbështetje në forma të ndryshme për familjet në nevojë, për një jetë më të mirë dhe për zhvillim të vendit.
Ai, poashtu, ka ftuar të gjithë shqiptarët në mërgim të cilët kanë mundësi, që të kthehen me investime e me mbështetje drejtë Kosovës, sepse falë angazhimit edhe të Komunës së Gjilanit, ne kemi një mbështetje edhe zyrtare për të ndihmuar.
Nga ana e tij, Refik Aliu, ka falënderuar Komunën e Gjilanit, donatorin Vezir Ramushi dhe gjithë ata që kanë kontribuar që sot të fillojnë punimet në ndërtimin e shtëpisë.
“Kam jetuar në kushte të vështira, edhe sot jam në kushte të tilla. Dhe normalisht që kjo është dita më e gëzueshme e imja dhe e familjes sime”, ka thënë i emocionuar kryefamiljari Aliu.