Policia e Kosovës, përkatësisht njësitet hetuese policore nga stacioni policor i Gjilanit, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, në dy raste të ndara kanë gjetur dhe konfiskuar armëmbajtje pa leje, njoftojnë autoritetet policore nga rajoni i Gjilanit.
“Në një shtëpi të personit të dyshuar, shqiptar shtetas i Kosovës pranë rrugës “Beteja e Kosharës” në Gjilan, gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri,- pistoletë prodhim rus, si dhe një karikatorë dhe pesë copë fishek cal.7mm.”, ka bërë me dije Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan.
Sipas tij, po të njëjtën ditë dhe në rrugën e njëjtë në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Gjilan, është bastisur edhe një shtëpi e një të dyshuarit tjetër, shqiptar shtetas i Kosovës. Gjatë bastisjes edhe këtu është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri e gjatë (pushkë gjysmë automatike) e prodhim Jugosllavë.
Dy rastet kualifikohen “Armëmbajtje pa leje”, dhe veç e veç procedohet në Prokurorinë Themelore në procedurë të rregullt.