Për herë të dytë brenda dhjetë ditëve, Kancelarja gjermane Angela Merkel është parë duke u dridhur pa kontroll në ngjarje publike. Këtë here, Merkel është parë duke kapur bërrylat, teksa nuk mund të ndalte të dridhurat e trupit të saj.
Zëdhënsi i saj, Steffen Seibert, ngul këmbë se gjithçka është në rregull me kancelaren.
“Ajo do vazhdojë udhëtimin e saj të planifikuar në Japoni”, tha Seibert.
Herën e parë që kishte ndodhur, Kancelarja ishte arsyetuar se ishin temperaturat e larta ato që kishin ndikur në shëndetin e saj, dhe se pastaj gjithçka ishte rregulluar pasi kishte pirë disa gota me ujë.
Por, kësaj rradhe Merkel ishte brenda në pallatin presidencial, dhe temperatura brenda ishte ideale.
Merkel shpesh ka pasur probleme me shëndetin në publik. Në vitin 2014 në një intervistë të drejtpërdrejt ajo kërkoi të ndërprehej transmetimi pasi kishte probleme me tension të gjakut. Në vitin 2017 në Meksikë ajo kishte të njejtin problem.