Gjendja e përgjithshme higjienike-sanitare në lokalet tregtare, hoteliere dhe ushqimore, përgjithësisht ka shënuar ngritje në krahasim me vitet e kaluara.
Këtë vlerësim e ka dhënë përfaqësuesi i Sektorit sanitar, Isa Veliu, në takimin e Komitetit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ku ka raportuar për punën e bërë në periudhën janar-korrik të këtij viti.
Komiteti e ka miratuar raportin, me rekomandimin për shtimin e numrit të inspektorëve, ose kthimin e Inspektoratit komunal si drejtori në vete, siç ka qenë më parë.
Jashar Jashari, kryesues i KSHMS, ka thënë se obligim i kësaj trupe profesionale është që të angazhohet për mbrojtjen e shëndetit të popullatës, duke nënvizuar faktin se inspektori sanitar është një shtyllë shumë e rëndësishme në këtë drejtim nëse e bën punën e vetë siç duhet.
Përndryshe, Isa Veliu ka thënë se punët në këtë sektor janë mbuluar nga dy inspektorë tjerë, meqë inspektori i vetëm sanitar, për shkak të një akuze të Prokurorisë Themelore në Gjilan ndaj disa zyrtarëve komunalë, është pezulluar përkohësisht.
“Jemi munduar që punët të mos ngecin, pavarësisht mungesës së inspektorit sanitar”, ka thënë Veliu, duke shtuar se gjatë kësaj periudhe janë kryer 75 kontrollime, janë përpiluar 55 procesverbale, janë shqiptuar 4 dënime mandatore, në një rast është bërë konfiskimi malli si dhe janë kryer aktivitete të tjera.
Edhe për sa i përket respektimit të afatit të prodhimeve, gjendja është përmirësuar dukshëm në krahasim me vitet e kaluara, meqë, sipas tij, ka një vetëdijesim si të tregtarëve, ashtu edhe të qytetarëve.
Mangësi të vogla ka nëpër shitore lagjesh, por jo në masë sa të rrezikohet shëndeti i popullatës, ka thënë Veliu.
Isa Veliu, sikurse edhe inspektori tjetër, Alban Spahiu, kanë dhënë përgjigje edhe në pyetjet, interesimet dhe shqetësimet e anëtarëve të Komitetit, Mirevete Kurteshi, Nexhat Halili, Agron Leka, Veton Uka e Selvete Shurdhani në lidhje me gjendjen në këtë sektor.
Nexhat Hajrullahu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se sektori i inspeksionit do të riorganizohet dhe në këtë drejtim ka pasur edhe nisma konkrete nga kryetari i Komunës, për kthimin e Drejtorisë së Inspeksionit, por vendimi nuk ka kaluar në Kuvend Komunal.