Gjendja e përgjithshme shoqërore gjatë pushtimit serbo-jugosllav në komunën e Gjilanit (Gusht 1998 – Shkurt 1999) – (Pjesa e katërt)
Naim MUSLIU – 2LONLINE.com
Pasi i arriti qëllimet e veta, policia serbo-jugosllave në Gjilan i largoi postblloqet që i kishte vendosur në rrugën Gjilan-Bujanoc, në rrugën për Malishevë dhe në Budrikë, kurse sipas raportit të BSPGJ në Gjilan, mjete motorike ushtarake dhe 300 policë ishin dislokuar në vendin e quajtur te “Pishat” në Livoç të Epërm për ushtrime ushtarake njëditore.
LEXO EDHE: (Pjesa e parë) – (Pjesa e dytë) – (Pjesa e tretë)
Në anën tjetër, sipas raportit të Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, gjatë muajit gusht të vitit 1998, në Gjilan ka pasur: 1 person me ndalim arbitrar, 9 persona me arrestim arbitrar, 9 persona në biseda informative, 6 persona të torturuar fizikisht, 12 shtëpi të bastisura, 6 pasaporta të konfiskuara, 3 plaçkitje, 2 ish të burgosur, 3 persona mërgimtarë, 13 persona në ndjekje penale, 1 fëmijë, 11 persona të kërkuar për armë, 7 persona të kërkuar nga policia, 1 person i marrë peng dhe 2 femra.
Bisedat informative ishin të zakonshme për shqiptarët. Edhe në muajin shtator 1998, vazhduan “ftesat” për biseda informative nga Sigurimi Shtetëror Serb. I ftuari i radhës në biseda informative nga Sigurimi Shtetëror Serb ishte edhe Nevzad Isufi, profesor i gjuhës shqipe dhe veprimtar politik i BSPGJ-së. Më pas u ftuan edhe veprimtarët e LDK si: Sali Hasani, arsimtar, Sabit Bekteshi dhe profesor Qazim Aliu. Po ashtu, në stacionin policor, për biseda me inspektor të sigurimit ishte ftuar edhe mjeku Musa Hoxha.
Më 29 gusht 1998, në ora 10, inspektorë të Shërbimit Shtetëror Serb, kërkuan në shtëpinë e tij veprimtarin e BSPGJ-së, Naim Hasanin me vendbanim në lagjen Dheu i Bardhë. Meqë nuk e gjetën në shtëpi, kërkuan që të paraqitej në stacionin policor. Gjithashtu, për të marrë informata Sigurimi thirri edhe stomatologun Musa Qazimi nga Gjilani dhe e pyetën rreth organizimit të kursit të ndihmës së parë në lagjen Gavran.
Më 4 shtator 1998, në orët e vona të natës ishte sulmuar me gjësende shtëpia e Afrim Rudit, e cila gjendet në lagjen Çenar-Çeshme afër Fabrikës së Tekstilit dhe sipas raportit të NKLMDNJ-së, dyshohej se këtë sulm e kishte kryer roja e Fabrikës së Tekstilit.
Më 8 shtator 1998, në ora 4 të mëngjesit, inspektorët e Sigurimit, e kërkuan në shtëpinë e tij në Gavran, Sali Malaj. Edhe pse Sali Malajt nuk i gjetën armë, përsëri i kërkuan që të lajmërohet në stacionin policor. Aty, Sali Malajn e kishin mbajtur rreth një orë duke e pyetur nëse kishte armë Sami Kurteshi, i cili ishte dhëndër i Sali Malajt. Po ashtu, në ditën e njëjtë policia serbo-jugosllave kishte bastisur edhe shtëpinë e Shyhrete Malaj Kurteshi, gruaja e Sami Kurteshit, por ajo nuk ndodhej në shtëpi. (Vazhdon)