Lumja ti moj Korç’ o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule,
Ta paçim për jetë hua
Naim Frashëri
Shkruan: Blerim SHERIFI
Të dashur mësimdhënës/e, profesorë, kolegë të mi të mësimdhënies, urime festa e bukur e Mësuesit, dita më e dashur për ju.
Me përulje dhe nderim për të gjithë ish mësuesit, profesorët dhe pedagogët e mi në ditën më të dashur të tyre.
Kjo datë ka zanafillën e hershme, që të kujton themelet e para të shkollës shqipe mësonjëtores shqipe të Korçës e cila u themelua me 7 mars 1887. Festa e mësuesit në rrafshin kombëtar shërben për t’i vlerësuar traditat më të mira të shkollës shqipe, pa dyshim edhe figurën e nderuar të mësuesit, por edhe gjithë punonjëseve të arsimit si edukatorë të brezit të ri dhe si kontribuues aktiv të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare. Armiqtë tanë na e mohuan gjuhën, shkrimin, kulturën, historinë, etnogjenezën, folklorin, kostumografin, toponimet, … duke na i zhdukur e duke i përvetësuar ato për vetën e tyre! Edhe sot e gjithë ditën, kujtojmë me respektin më të thellë të gjithë ata që u dogjën për t’i shndritur rrugët e gjuhës sonë të ëmbël, rrugët e shkronjave tona të bukura, rrugët e përparimit dhe edukimit të popullit tonë si: Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani, Todhri, Kazazi, Negovani, Luarasi, Logoreci, Derada, Mjeda, Frëshëllinjtë, Fishta, Noli e dhjetëra figura- ikona të gjuhës së ëmbël shqipe Të cilët themelet e gjuhës sonë i njomen edhe me gjakun e tyre!
Ai, dhe vetëm ai popull, që është i ngritur, i vetëdijshëm dhe i arsimuar di se ç’kërkon, di të luftojë, dhe di të fitojë lirinë e vet. Pikërisht mbi këtë bazë, pushtuesit tanë na kanë sulmuar, para së gjithash: shkollat, institucionet, akademitë, bibliotekat, muzetë dhe kultin fetar.
Me respekt e nderim të lartë kujtojmë veprën e ndritur të mësuesve dhe patriotëve të shquar që punuan me përkushtim dhe zell të madh në zhvillimin e arsimit dhe ngritjes së vetëdijes shoqërore mbarëkombëtare.
Mësuesit janë plotë mirësi, dashuri, dituri, pasion, sinqeritet, kreativitet, zellshmëri, vetëkritik e të përkushtuar.
Mësuesi është heshtje e ndjesi, është poet, sportist, aktor e mbi të gjitha, mësuesi është vet arsyeja e diturisë që nxënësi të shkëlqejë.
Mësuesi është padyshim ai që jep frymë, dritë dhe gjallëri e mbi të gjitha është shpirti i një kombi të qytetëruar.
Mësuesit janë idealistët më produktivë në shoqëri, përçues të dijes dhe emancipimit shoqëror.
Që nga rilindja e deri në ditët e sotme, çdo arritje deri te lira është falë punës së pandashme të mësuesit shqiptar.
Në këtë ditë, secili nga ne duhet të reflektojë dhe shoh rolin e mësuesit në zhvillimin dhe prosperimin si komb, siç edhe thotë filozofi kinez me famë Konfuci ”vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”.
Mësuesi prek përjetësinë, kurrë nuk mund të thuhet se ku përfundon influenca e tij.
Mësimdhënia është art, një proces i cili planifikohet, organizohet dhe drejtohet nga një mësues i mirë në bashkëpunim me nxënësit e tij për të arritur objektivat dhe qëllimet e tij në procesin e mësimdhënies.
Mësues të dashur dijeni se ju keni marrë në supet tuaja një përgjegjësi që e keni para Zotit dhe njerëzve e që kjo përgjegjësi kërkon punë, angazhim, përkushtim, dashuri, respekt të ndërsjelltë dhe mbi të gjitha paqe me veten.
Profesioni i mësuesit ka një rëndësi shumë të veçantë në çdo shoqëri ngase mësuesia është më shumë së një profesion pasi nxënsit e shohin çdo herë mësuesin si prindin e tyre të dytë.
Ashtu si edhe e dimë, ne si mësues ndikojmë në formimin e individit, një mundësi për t’i shërbyer të tjerëve duke përgatitur e edukuar kuadro të profileve të ndryshme.
Ky profesion ka rol kyç në edukimin e mendjes, andaj edhe duhet kuptuar dhe marrë me shumë përgjegjësi.
Por çfarë e bën një mësues të mirë?
Të mësosh të tjerët atë që ke mësuar për vete, kërkon angazhim, lodhje, përkushtim, kërkime e hulumtime shkencore për të qenë sa më inovativ, kreativ dhe vetkritik.
Prandaj një mësues i mirë është:
Profesional dhe autoritativ, një mësues profesional është ai i cili zotëron aftësitë më moderne të mësimdhënies dhe është autoritativ.
Një mësues i mirë para se gjithash është një nxënës i mirë, ngase mësuesi duhet të jetë çdo herë në kërkim të dijes dhe vazhdoj në mënyrë sitematike të lexojë, hulumtoj dhe mos ndaloj as edhe një herë së lexuari dhe kërkuari dije sa më shumë për veten dhe nxënësit e tij.
Bën ndryshimin në arsim, si një njeri i dijes, nga ju kërkohet çdo herë të sjellni ndryshime në sistemin arsimor për vendin dhe kombin tuaj.
Kjo arrihet duke marrë pjesë në trajnime, konferenca, seminare të ndryshme në mënyrë që të ndani njohuritë dhe përvojat tuaja me të tjerët dhe me këtë ju do të ndikoni pozitivisht te gjeneratat e ardhshme.
Frymëzon të tjerët, një mësues i mirë duke ndarë njohuritë e tij me nxënësit, ai vetem ndikon shumë në formimin e të tjerëve duke qenë model për të tjerët.
Krijon një ambient të ngrohtë në klasë, një mësues i mirë para se gjithash duhet të jetë i dashur me nxënësit duke krijuar ura bashkëpunimi dhe respketuar nxënsit dhe kolegët e tij.
Një mësues i tillë respekton nxënësit e tij, vlerëson ata dhe po ashtu kërkon respekt nga ta për punën dhe përkushtimin e tij.
Në një atmosferë të tillë çdo nxënës do të ndihet i lirë të shpreh veten e tij, të diskutojë më të tjerët për përfundimin më të mirë, ofron buzëqeshje, kreativitet, nxit për dije dhe vet-studim etj.
Një mësues i mirë është i dashur, entuziast, i afërt, i kujdesshëm.
Një mësues i tillë çdo herë është fillimisht një dëgjues i mirë, kupton drejt, nuk ofendon dhe gjithmonë gjen kohë për nxënësit e tij duke mos ngatërruar asnjëherë problemet e nxënësve dhe shkollës më jetën e tij personale.
Një mësues i mirë është një “marshues i mirë”, një mësues i tillë di të ndërrojë hapin dhe ofrojë atë më të mirën për nxënësit e tij.
Një mësues i tillë është fleksibil duke gjetur mënyra dhe ide si dhe të prezantoj deri te nxënësit e tij njohuritë edhe për gjërat më abstrakte.
Njohuritë të shumta, një mësues i mirë është i pajisur me shumë njohuri edhe nga fushat tjera përtej asaj që ka studiuar apo mban titullin.
Që nga dukja personale e deri te aftësitë organizative e menaxheriale në klasë, një mësues i mirë duhet të jetë shembull për nxënësit e tij.
Dhe në fund një mësues duhet të ketë vetëbesim, motivim, kreativitet, aftësi të shkëlqyera organizative, udhëheqëse në klasë, të ketë sens humori, të jetë i drejtë, transparent, i dashur, t’i kuptojë drejt studentët dhe kolegët e tij.
Trajtoni nxënësit tuaj si kolegët dhe miqtë tuaj e jo sikur ata të ishin pronë e juaja.
Ju dëshiroj shëndet dhe rrezatofshi vetëm dashuri, dije e mirësi e qofshi të nderuar nga mbarë shoqëria.
“Arsimi është shpirti i një kombi, mësuesit janë shtylla e tij” (Hasan Prishtina). /2LONLINE/