Sipas, Gentrit Murselit, kryetarit të Forumit të Rinisë të LDK-së, dega në Gjilan, njëherësh anëtari i Kuvendit Komunal të Gjilanit, kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni me ekipin e tij e vunë në lajthitje GAP-in, as për së afërmi nuk i realizoi premtimet e prezantuara
Murseli, gjatë një konference me gazetarë, e ka vlerësuar dezinformim të paprecedent që Komuna e Gjilanit ka bërë tek Instituti GAP, për të gënjyer opinionin publik për premtimet e tij të realizuara.
“Shumica e premtimeve të cilat cilësohen si të realizuara tek Instituti GAP, në fakt janë informata të pavërteta të dërguara nga Komuna e Gjilanit, ka thënë Murseli, sipas të cilit premtimet të cilat cilësohen të realizuara, e që fare nuk është ashtu janë:
– Transparencë për të gjitha veprimet e administratës komunale,
– Respektim i Ligjit të Prokurimit Publik,
– Fillimi i ndërtimit të Stadiumit të Qytetit në Gjilan,
– Fillimi i rinovimit të Palestrës “ Bashkim Selishta- Petriti”,
– Përmirësimi i infrastrukturës brenda Teatrit të Qytetit- Gjilan, në vlerë prej 50.000€,
– Fillimi i ndërtimit të zonës ekonomike dhe funksionalizimi i qendrës trajnuese,
– Fillimi i restaurimit të Kalasë së Pogragjës,
– Ndarja e bursave për studentë dhe nxënës të dalluar,
– Rregullimi pjerrinave në trotuaret e qytetit,
– Funksionalizimi i Qendrës Rinore,
– Krijimi i qendrës për qëndrim ditor për personat me aftësi të kufizuar,
– Krijimi i kinemasë afër Kalasë së Pogragjës,
– Krijimi i parkingjeve të reja në qytet,
– Riorganizim i Flakës së Janarit,
– Rritja e fondit për subvencionim të organizatave kulturore…
si dhe shumë premtime të tjera që cilësohen si të mbajtura, por siç u shpreh Murseli i LDK-së, në fakt as nuk kanë filluar.
Ai potencoi në emër të Degës edhe njëherë, që kërkojnë nga Instituti GAP rivlerësim të premtimeve të të parit të ekzekutivit, ngase as për së afërmi nuk janë të realizuara ashtu siç janë paraqitur. /2LONLINE/