Zëvendëskryeministri / ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, sot u prit nga ministrja e Migracionit dhe e Shtetësisë e shtetit të Ontarios, Laura Albanese, me të cilën, pos të tjerash, diskutoi edhe për ngritjen e një qendre kulturore shqiptare në qytetin e Torontos.
Ministrja Albanese ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të promovimit të kulturës shqiptare, duke sponsoruar edhe ligjin që është miratuar në Parlamentin e shtetit të Ontarios, ku muaji nëntor është shpallur muaji i kulturës shqiptare.
Ministri Gashi e informoi ministren Albanese për misionin dhe punën e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar.
“Në Toronto erdhëm për panairin e minierave dhe për të prezentuar e promovuar Kosovën si potencial për investime. Në kuadër të vizitës kemi takuar edhe shumë bashkatdhetarë tanë që jetojnë në Toronto, afaristë të suksesshëm, nga të cilët kam një kërkesë që duhet t’jua paraqes – të ndihmoni gjetjen e lokacionit për vendosjen e një shtatoreje të Skënderbeut, pasi edhe ky vit është shpallur Vit i heroit më të madh shqiptar”, tha ministri Gashi, duke shprehur falënderime për punën që ministrja Albanese ka bërë dhe për mbështetjen që i ka dhënë komunitetit shqiptar.
Ministri Gashi, po ashtu, kërkoi nga znj. Albanese mbështetjen e Qeverisë së Ontarios për institucionalizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, si dhe për ndërtimin e një qendre kulturore shqiptare në Toronto.
Ministrja Albanese, duke falënderuar ministrin Gashi për vizitën, premtoi se do të punojë së bashku me komunitetin dhe do ta mbështetë atë, si dhe do t’i japë këshilla për t’i përmbushur kërkesat e tyre, ani pse disa nga to më vështirë janë të realizueshme.
Po ashtu, duke pasur parasysh kërkesat e shumta nga Kosova për punë sezonale në shtetin e Ontarios, znj. Albanese theksoi se për t’u pajisur me vizë pune ekzistojnë disa mënyra, ndërsa përmendi njohuritë e gjuhës angleze ose franceze, si parakusht kryesor për të qenë i kualifikuar për shqyrtim të aplikacionit për vizën e punës.
Në fund të takimit, dy ministrat shkëmbyen dhurata, ndërsa ministri Gashi, gjatë pasdites, vazhdoi në pritjen e organizuar nga “Barrick Gold”, kompani kjo më e madhja në botë për eksplorimin dhe eksploatimin e arit.