Instituti GAP ka publikuar në platformën elektronike “Letërnjoftimi i Komunave” progresin e kryetarëve të komunave në përmbushjen e premtimeve të dhëna në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2017. Platforma është rifreskuar me të dhëna për gjashtë mujorin e parë 2019.
Nga gjithsej 902 premtime të evidentuara nga Instituti GAP, deri në muajin qershor 2019 janë përmbushur 248 premtime, 110 premtime rezultojnë gjysmë të përmbushura, 339 premtime kanë filluar të përmbushen ose ka nisma në përmbushjen e tyre, ndërsa për 205 premtime nuk është evidentuar ndonjë nismë në përmbushjen e tyre.
Për dallim nga gjashtë mujori i fundit i 2018 ku ishte vërejtur një trend pozitiv në përmbushjen e premtimeve nga fusha e arsimit, në gjashtë mujorin e parë të 2019 kjo fushë ka shënuar ngecje. Në gjithsejtë 26 komuna të cilat janë pjesë e monitorimit nga Instituti GAP, në fushën e arsimit janë dhënë 126 premtime. Nga to, vetëm 24 premtime rezultojnë të përmbushura.
Numri më i madh i premtimeve të përmbushura është shënuar në fushën e infrastrukturës, bujqësisë dhe shërbimeve publike. Ndërsa, përveç arsimit, fushat ku ka ngecje në përmbushjen e premtimeve janë ajo e ekonomisë, shëndetësisë dhe e urbanizimit.
Instituti GAP bën monitorimin e përmbushjes së premtimeve në 26 komuna, sepse disa nga kryetarët aktual nuk kanë zhvilluar fushatë zgjedhore. Komunat si Skenderaj, Mamusha dhe dhjetë komunat e banuara me popullatë shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor dhe nuk kanë dhënë premtime konkrete.
Përmes vlerësimit të premtimeve zgjedhore, Instituti GAP ka për qëllim që t’i mbajë të përgjegjshëm kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna. Vlerësimi i premtimeve bëhet në mënyrë periodike përmes bashkëpunimit me organizatat lokale.
Për të parë detajet e premtimeve të dhëna, mund të vizitoni platformën elektronike të Institutit GAP duke klikuar në këtë link