Nazim Gagica, kryetar i Degës së AAK-së, në Gjilan, ka bërë me dije se sot me bashkëpunëtorë dhe veteranë të luftës, bënë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Gjilan, në nderim e kujtim të jetë dhe veprës së heroit të kombit, Reshat Ymeri në 34-vjetorin e përjetësimit.
“Janari i flakës e i sakrificës, muaji që i dha kombit data e ngjarje të mëdha historike, të cilat ne sot i kujtojmë me nderë e mburremi me veprën e atyre përveç që ruajtën vazhdimësinë në rrugën për çlirim, motivuan shumë breza të rreshtohen krah atyre që ishin bashkë, rrugë kjo e cila kulmoi me luftën çlirimtare e me Kosovën shtet”, ka thënë Gagica.
“Lavdi jetës dhe veprës së Reshat Ymerit. Lavdi të rënëve në të gjitha rrethanat historike për liri e pavarësi. Mirënjohës përjetë veteranëve e familjeve të dëshmorëve për gjithçka që kanë dhënë për Kosovën”, ka shtuar Nazim Gagica i AAK-së. /2LONLINE/