””Dikush thoit e dikush patkoit”, por Gjilani mbetet akoma pa buxhet të miratuar për vitin 2025. Pozitë e opozitë, lojërat leni anash tani, sepse buxheti nuk është para e juaja por taksë të cilën e paguajnë qytetarët tanë të përgjegjshëm e të ndershëm”, ka thënë Nazim Gagica, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)< dega në Gjilan.
Ai shtoi se qytetari duhet ta ketë parasysh se as ekzekutivi i Alban Hysenit e as legjislativi në Kuvendin Komunal në Gjilan, në esencë po del që nuk e kanë seriozisht miratimin e buxhetit komunal, sepse termi buxhet më tepër po përdoret për mbulesë të dështimeve e viktimizim të skajshëm nga i pari i Gjilanit, në njërën anë, dhe në anën tjetër tendenca për të marrë primatin ose rolin e shpëtimtarit nga shumica në Kuvend.
“Alban Hyseni nuk e ka hallin e buxhetit, projekteve apo shërbimin ndaj qytetarëve sepse kjo situatë më së shumti i konvenon atij ngase ai e din mirë sa milion euro i kanë mbet të pashfrytëzuara në fillimin e vitit 2024, e po ashtu e din mirë që me këtë menaxhim dhe udhëheqje edhe një miliard euro me ia bartë, nuk i bënë punë sepse për shfrytëzimin e këtyre mjeteve për zhvillimin e projekteve, i kanë mbetur më pak se shtatë muaj. Në anën tjetër, opozita të luaj rol konstruktiv, monitorues e këshillues sa i përket buxhetit, t’i jep një mundësi të pashpresë ekzekutivit për shfrytëzimin e tij në raport të drejtë me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve dhe pa kushtëzime, se planifikimi, menaxhimi dhe përgjegjësia për buxhetin bie tek pozita sepse një pjesë e opozitës mandatin për planifikim buxhetor e kemi humbur me 24 dhjetor 2021, e pjesa tjetër e opozitës me 31 maj 2023”, thotë i pari i AAK-së në Gjilan.
Gagica shtoi se Aleanca ka qenë dhe do të mbetet konstruktive dhe gardiane e interesit të qytetarëve të Gjilanit, ata të cilët më së shumti dëmtohet nga katrahura që e ka sjellë ekzekutivi i Gjilanit.
“Do të jemi në krah të interesit të Gjilanit dhe qytetarëve sa herë të jetë nevoja dhe në çdo kohë kur ka seriozitet dhe konstruktivitet”, ka thënë Nazim Gagica, kryetar i AAK-së, Dega në Gjilan. /2LONLINE/