Planet e Qeverisë për fuqizimin e kapaciteteve energjetike me fokus në energjinë e gjelbër si dhe tarifat e përballueshme të energjisë për konsumatorët komercialë ishin në fokus të diskutimit të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me Ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli.
Ministrja Rizvanolli shpalosi para ndërmarrjeve të pranishme planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për energjinë e gjelbër dhe ndikimin në ekonominë e qëndrueshme, si dhe punën dhe sfidat e sektorit të energjisë në vend, si dhe rreth Strategjisë së Energjisë 2022 – 2031 e cila është në përfundim e sipër.
Ministrja e Ekonomisë theksoi se strategjia përpos që synon dekarbonizimin e sektorit të energjisë në vend deri në vitin 2050, duke përmbushur kështu potencialin e lartë të Kosovës për zhvillim të Burimeve të Ripërtërishme, reflekton edhe përkushtimin e Qeverisë sa i përket zhvillimit socio-ekonomik. Ajo shtoi se strategjia ka për qëllim t’i mundësojë sektorit të energjisë të shërbejë si mjet për rritjen ekonomike të vendit dhe rritjen e mundësive të bizneseve dhe punësimit të të rinjve.
Anëtarët e pranishëm të Komitetit të Gjelbër, Komitetit për Energji dhe Miniera dhe Komitetit për Tregti dhe Dogana të Odës Ekonomike Amerikane, shprehën shqetësimet e tyre lidhur me sigurinë e furnizimit me energji, por edhe ofruan ide e rekomandime për sa i përket promovimit të efiçencës energjetike në vend, përfshirë edhe financimin e investimeve. /2LONLINE/