FTESË PËR PJESËMARRJE NË OLIMPIADËN MATEMATIKE TË GJILANIT
Drejtoria Komunale e Arsimit (D K A) – GJILAN
Gjilan, më 04.11.2024
Për: Drejtorinë e Gjimnazit Natyror ,,Xhavit Ahmeti” në Gjilan
Nga: Festim Shkodra – koordinator i Olimpiadës Matematike të Gjilanit për nx. e kl. VII – XII
Lënda: OLIMPIADA XVI MATEMATIKE E GJILANIT (OMGJ) 2025
për nx. e kl. VII, VIII, IX të SHMU dhe nx. e kl. X, XI dhe XII të SHML
Të nderuar, më 9 nëntor 2024, të shtunën, me fillim në ora 10:00, në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, do të mbahet Olimpiada XVI Matematike e Gjilanit – OMGJ 2025, për nxënësit e klasave të VII, VIII, IX të SHMU dhe nxënësit e klasave X, XI e XII të SHML.
Me qëllim të përfaqësimit sa më të denjë të shkollës tuaj, në Olimpiadën Matematike të Gjilanit, e më pas nëse nxënësit tuaj fitojnë, përfaqësimit edhe të komunës sonë në Olimpiadën e XV Matematike të Kosovës (OMK 2025), është e dëshirueshme që nxënësit tuaj përfaqësues t’i përzgjedhni në Olimpiadën Matematike të shkollës tuaj, për nxënësit e klasave X, XI dhe XII. Gara juaj shkollore, mund të mbahet më së voni deri më 7 nëntor 2024. Përgjegjës për organizimin e saj jeni ju – Drejtoria e Shkollës, në bashkëpunim me Aktivin i Matematikës në shkollën tuaj.
Por në pamundësi të mbajtjes së garave të matematikës në shkollën tuaj, kërkojmë nga ju, drejtoria e gjimnazit, që të përzgjedhet ekipi përfaqësues i shkollës suaj, për klasat e X, XI dhe XII, pa gara, me ndihmën e mësimdhënësve të matematikës të gjeneratës përkatëse.
Duke pasë parasysh numrin e nxënësve të gjimnazit, suksesin e tyre, drejtimin mësimor – të shkencave natyrore, ekipet përfaqësuese të secilës gjeneratë ( X, XI dhe XII) nga ky gjimnaz, mund të marrin pjesë në Olimpiadën Matematike të Gjilanit me nga 10 nxënës përfaqësues, pra gjimnazi juaj mund të dërgoj gjithsejt 30 përfaqësues.
Listën me emrat e nxënësve fitues të garës shkollore, apo atyre që do ta përfaqësojnë shkollën tuaj, obligoheni që të na dërgoni më së voni deri më 7 nëntor 2024, të enjten në ora 16:00, në DKA tek zyrtarja Majlinda Hoxha ([email protected]) si dhe në adresën elektronike të koordinatorit Festim Shkodra ([email protected]).
Në Olimpiadën Matematike të Gjilanit – OMGJ 2025, mund të marrin pjesë vetëm nxënësit emrat e të cilëve janë dërguar brenda afatit të cekur më sipër.
Nga fituesit e Olimpiadës Komunale të Gjilanit, tre të parët e secilës prej klasave VII, VIII, IX, X, XI dhe XII formohet ekipi përfaqësues i Komunës së Gjilanit, për pjesëmarrje në
Olimpiadën Matematike të Kosovës – OMK 2025, që do të mbahet më 16.11.2024, në ora 10:00, në Gjimnazin e Specializuar Matematik në Prishtinë (Rr. Tahir Zajmi, Nr. 65, Kalabri).
Detyrat e OMGJ 2025 dhe OMK 2025, bazohen në standardin e arritshmërisë së klasave VII, VIII, IX të SHMU-së dhe klasave X, XI dhe XII të gjimnazit të drejtimit shkencor. Poashtu testet e olimpiadave bazohen edhe në detyrat e garave të ngjashme të shteteve tjera dhe olimpiadave ndërkombëtare.
Në të gjitha komunat e Kosovës, nxënësit garues varësisht nga klasa që vijojnë, do t’i nënshtrohen njëkohësisht testit të njëjtë në olimpiadat e tyre komunale. Këto teste do të përpilohen nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK). Në webfaqen e SHMK-së: http://kms-ks.org/omk mund të shkarkohen materiale dhe linqe për përgatitje të nxënësve.
Olimpiadën Matematike të Kosovës e organizon Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK) në bashkëpunim me MASHT-in. Fituesit e OMK 2025, hyjnë në garën finale për përzgjedhjen e ekipit të Kosovës për pjesëmarrje në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare (IMO) 2025, të 66-tën me rradhë, që do të mbahet në qytetin Sunshine Coast në Australi, më 10 – 20 korrik 2025 dhe ku Kosova pritet të merr pjesë për herë 15-të, në cilësinë e anëtarit me të drejta të plota. Po ashtu, nga OMK 2025 do të përzgjedhen dy ekipe me nga 4 vajza që do të përfaqësojnë shtetin e Kosovës për herë të 5-të në Garën e 14-të Evropiane të Matematikës për Vajza (European Girls Mathematical Competition) – EGMO 2025), e cila do të mbahet në Prishtinë, në Republikën e Kosovës më 11-17.04.2025 Po ashtu, nga Olimpiada Matematike e Kosovës do të përzgjedhen nxënësit nga klasat VII, VIII dhe IX që do të përfaqësojnë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 6-të Matematike Kosovë – Shqipëri – KAMO 2025, e cila do të mbahet në Shqipëri gjatë vitit 2025.
DATAT E RËNDËSISHME:
– 7 nëntor 2024 – dita e fundit për t’i organizuar garat shkollore
-7 nëntor 2024 – dita e fundit për t’i dorëzuar emrat e nxënësve përfaqësues të shkollave tuaja
– 9 nëntor 2024 – në ora 10:00 fillon OMGJ 2025 në Gjilan
– 16 nëntor 2024 – në ora 10:00 fillon OMK 2025 në Prishtinë
S U K S E S E !
Ju falënderojmë paraprakisht për bashkëpunim!
Me respekt!
koordinatori i OMGJ 2025, Festim Shkodra