Ka mbyllur punimet Konferenca e 27-të, Shefat e Mbrojtjes së Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut (A5), ku bëjnë pjesë: Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Pjesëmarrës në konferencë ishin: komandanti i Komandës Evropiane të SHBA-së, njëherësh komandant i Forcave Amerikane në Europë, gjeneral Christopher G. Cavoli, komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, Itali, adjutantët e përgjithshëm nga shtetet përkatëse të Programit të Partneritetit të Gardave Kombëtare të SHBA.
Garda Kombëtare e Ajovës është përfaqësuar nga gjeneral brigade Mark Kappelmann, ndërsa Kosovën dhe FSK-në, në emër të Komandantit gjenerallejtënant Bashkim Jashari e ka përfaqësuar zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, ku të dy gjeneralët prezantuan vizionin e përbashkët për të qenë pjesë në Kartën e Adriatikut ( A5) si dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe planet për të ardhmen.
Në kuadër të konferencës është miratuar deklarata e përbashkët , ku riafirmohet angazhimi për të qëndruar së bashku kundër luftës së paligjshme, të pajustifikueshme dhe të paprovokuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka shkatërruar paqen dhe stabilitetin në zonën euroatlantike dhe ka dëmtuar rëndë sigurinë në rajonin tonë dhe globalisht.
“Ne dënojmë, në termat më të fortë, shkeljen e dukshme të Kartës së Kombeve të Bashkuara nga Rusia dhe ndikimin e luftës së Rusisë në pjesën tjetër të botës. Ne përshëndesim popullin ukrainas për rezistencën e tij të guximshme dhe shprehim simpatinë dhe ngushëllimet tona për humbjen dhe vuajtjen e tyre”.
Në deklaratën e përbashkët u theksua “Ne jemi të përkushtuar për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme që mbështet parimet e Kartës së OKB-së, në veçanti sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë. Mbështetja kolektive për Ukrainën konfirmon mirëkuptimin tonë të ndërsjellë se bashkëpunimi me aleatët dhe partnerët është jetik për aftësinë tonë kolektive për t’iu përgjigjur sfidave aktuale dhe të ardhshme”. /2LONLINE/