Si erdhi deri te sulmet e NATO-s mbi caqet ushtarake serbe
NGA: Izmi ZEKA
Madeleine Albright, sekretare e shtetit e SHBA-s, Washington, gusht 2001:
“Nuk kam gabuar kur kam thënë, se je politikan i lindur gjatë kohës së Konferencës së Rambouillet. Angazhimet tuaja gjatë luftës dhe pas luftës, ma kanë përforcuar mendimin se ti ke dhunti politike. I besoj vizionit tuaj, vizion që i ka munguar Kosovës.”( fjala është për Hashim Thaçin)
Shteti ynë i ri e ka ndërtuar historinë mbi qenësinë e një trashëgimie historike, por përtej saj ka diçka të veçantë dhe të dallueshme. .. E veçanta duhet të shihet nga aspekti i trajtimit shkencor, ngase mund të dimensionohet në këto dy sinteza:
e para, konsistenca qoftë e individëve ose grupeve të ndryshme, për të ruajtur dhe luftuar për një Shqipëri të bashkuar dhe,
e dyta, qasja themelore filozofisë së shtet-ndërtimit.
Po të shikohet kronologjia historike, ne shqiptarët gjithnjë kemi luftuar, por të arriturat e luftërave e të përpjekjeve tona, nuk kanë përkuar me idenë e përmbylljes për shtetin etnik unik.
Përmes kësaj trajtese, le të prekim njërën nga çështjet shtytëse të kahes së kësaj periudhe të fundshekullit XX; mbase sipas mendimit tim, do të jetë fondamentale për aleanca me miqtë me strategji më efikase të botës.
Shpejtësia e përcaktimit të përfaqësimit politik të UÇK-së në vendet evropiane, fillimi i komunikimit me botën Euro-Atlantike, ishte fitorja më e madhe e UÇK-së. Pohimi i këtillë është i dukshëm dhe i prekshëm, sepse ky përfaqësim arriti që në mënyrë brilante të harmonizojë luftën me politikën diplomatike. Tashmë nga kjo distancë kohe mund të duket si diçka jo parësore, mirëpo, e themi me përgjegjësi profesionale e politike, edhe duke pasur sado pak njohuri për politikat ndërkombëtare, bartja dhe parimet e UÇK-së në tavolinat Euro-perëndimore ndikuan shumë anshëm, që lufta e UÇK-së të mos shihej sikur donin ta portretizonin disa shtete, të atillët që nuk e kishin për dëshirë kauzën shqiptare… Andaj, tentohej me çdo çmim që luftës çlirimtare t`i jepej ngjyrim fetar fundamentalist, pa kohezion polik, e sajesa të ngjashme.
Nëse i referohemi së kaluarës në periudha të ndryshme, si gjatë shekullit XIX dhe XX, luftërat ishin të pandërprera, por nuk kishte kohezion ushtarak dhe politik dhe, si të tilla kishin polarizime të skajshme, që në momente të caktuara dëmtuan qëllimin e paravënë… Me ose pa vetëdije u dëmtua ideja e formësimit të shtetit, ngase më parësorja e çështjes mungoi… Çka mungonte në lëvizjet tona çlirimtare? Mospasja e ndjeshmërisë diplomatike me botën e zhvilluar; meqë orientimet në një masë nuk ishin drejtuar në kahe që të bashkë-dyzoheshin interesat tona me të tjerëve.
Në politikën ndërkombëtare marrëdhëniet ndërtohen sipas bashkëveprimit të interesave të caktuara. Si duket nga ato që kanë ndodhur deri tash, ne si popull nuk kemi arritur të shtrijmë ndikimin dhe qasjen e duhur tek forcat vendim-marrëse. Gjithsesi planin e përfaqësimit unik, e dobësoi mospasja e një politike diplomatike e të folurit me një zë.
Lufta jonë e fundit na jep dëshmi për të bërë disa krahasime, që për lexuesin e rëndomtë do të ishin një shpërfaqje historike, për të mos përsëritur gjërat që ndikojnë për marrëdhëniet dhe luftën diplomatike për të qenë faktor, qoftë i vogël në luftën e madhe evropiane e botërore… Është dëshmuar se luftërat e përmasave botërore mund të jenë të pamëshirshme, veçmas ndaj popujve të vegjël, të cilët nuk paraqesin interes strategjik, politik dhe ekonomik.
Le t`i qasemi pjesës së fundit të shekullit XX.
Komponentët e lart-përmendur të diplomacisë fluturuese të UÇK-së dhe uniteti, me të gjitha dobësitë, sollën premisa të jashtëzakonshme, që lufta ndaj pushtuesve serbë të shihej si luftë për mbijetesë dhe, interes “human” i SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, për të mos u përsëritur Srebrenica, por dhe për të mbrojtur dinjitetin e humbur gjatë luftërave që kishte bërë Serbia në Ballkan.
Të mos harrojmë: mbahet mend kur Gelbart e kishte quajtur UÇK-në “organizatë terroriste.” Pas kësaj deklarate pushteti policor i Serbisë kishte bërë masakra të papara në Kosovë.
Këtë kohë, nëse bëjmë një krahasim me të kaluarën e historisë sonë, mund të shohim dy çështje që tashti mund të jenë për analizë suksesive, por dhe për një proces që determinoi edhe qëndrimet politike të shtetit Amerikan.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte ngrehur një rend ushtarak, deri në nivel të Shtabit të Përgjithshëm. Kishte Zonat Operative të organizuara. Në këtë rrjedh përvijimi pati dhe Drejtorinë Politike, që bartte politikat strategjike të UÇK-së. Nga kjo distancë e shohim qartë se ishte e arritura më e madhe e kësaj lufte. Shqiptaret historikisht në forma të ndryshme kanë rezistuar dhe luftuar për ideal kombëtar. Mirëpo, ajo që ka shkaktuar të mos jetë forcë, e cila do ta detyronte botën e zhvilluar të ulet në tavolinë, ka qenë mos uniteti dhe veprimet dorë pas dore, të pa sinkronizuara mes vete, mandej mospasja e një zëri legjitim për të mbrojtur interesat shqiptare. Ne kemi bërë luftëra kaçakësh të çetave të shumta, jemi vrarë e gjakosur, por veprimet tona nuk kanë rezultuar të arsyetohen aty, në kancelaritë e vendeve ku zihej dhe vendosej për fatin e popujve.
Ishte fat i mirë që në Rambuje ishte sinkronizuar përfaqësimi i të deleguarve të përbashkët të Kosovës, natyrisht me ide paksa të ndryshme, por me një qëllim të përbashkuar.
Për baraspeshën e përfaqësimit, ndër të tjera, njëri nga anëtarët e delegacionit të UÇK-së , që ishte pjesë e Konferencës së Rambujesë, Ramë Buja ndër të tjera në një paraqitje thotë, po citoj:
“Ishim të vetëdijshëm se po shkojmë për ta bërë të njohur luftën, përpjekjen angazhimin e UÇK-së dhe tërë popullit për liri të Kosovës. Kështu, që kjo Konferencë arriti efektin e vet pavarësisht që kishte edhe rreziqe të mëdha, sepse siç e dini besoj, dy ditë para se të përfundonte Konferenca ne na vjen drafti i parë, që na u soll nga organizatorët e Konferencës pa u përpunuar fare, pa u ndryshuar fare, pa u futur fare ajo puna e jonë që kishim bërë 17 ditë sa ishim atje dhe ne thjeshtë u shqetësuam shumë. Aty edhe filloi një farë çarje e delegacionit paksa, sepse disa që ishim tepër pak, kishin disponimin për ta nënshkruar, ndërsa ne të UÇK –së ua thamë qartë, shkurt që kjo nënshkruhet atëherë kur UÇK nuk do të zhduket, nuk do të hiqet nga skena, por do të transformohet logjikshëm dhe përmbajtësisht. Dhe, natyrisht pas tri vitesh referendumi i domosdoshëm për ta arritur qëllimin e pavarësisë së Kosovës dhe, këtë garancion na dha sekretarja e shtetit Madeleine Albright atëherë, dhe po kështu u tha që UÇK do të transformohej, nuk do të hiqej nga skena dhe kjo ndodhi dhe, ne si delegacion me shumë jo të mira në ato dy-tre ditë, vendosëm që të shtyjmë nënshkrimin e mundshëm të asaj marrëveshje pas dy javësh, gjë që ndodhi kështu”, ka thënë Buja.
Kjo që u citua është vetëm një pjesë e gjithë asaj Konference, që vuri bazamentin e sensibilizimit, por edhe të veprimeve të mëtutjeshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Pra, lufta edhe pse zhvillohej, megjithatë diplomacia dhe takimet anë e kënd botës, bëheshin për të zgjidhur ose ndërprerë luftën e UÇK-së me forcat serbe.
Në këtë histori përpjekjesh Amerika si një aleat i shqiptarëve së bashku me Anglinë, luftën e UÇK-së e kthyen në tavolinë dhe tryezë ndërkombëtare, gjithsesi ishte e arritura më e madhe nga fillimi i Luftës Çlirimtare në Kosovë.
Nga distanca kohore pa pasur emocione, as eufori delegacioni i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i udhëhequr nga Hashim Thaçi dhe të tjerë, politikën e luftës e kthyen në fitore diplomatike, politike dhe ushtarake në përballje me Serbinë.
Arsyet janë të forta që t`i paraqesim në vazhdimësi ngjarjet, që filluan në Paris për të përfunduar nga bombardimet e Natos.
Takimi i parë filloi në kështjellën e Rambujesë afër Parisit, e cila zgjati deri më 23 shkurt, ndërsa nismëtar i Konferencës ishte Grupi i Kontaktit me ndërmjetësimin e Kristofer Hill nga SHBA-të, Boris Majorski nga Rusia dhe Volfang Petrich përfaqësues i BE-së. Ky takim nuk arriti të ketë sukses.
Vazhdojnë takimet me 15 mars, po ashtu, pa sukses. Në takimin e 18 marsit dy delegacionet kishin nënshkruar marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës në krye me Hashim Thaçin, kishin nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga ndërkombëtarët dhe organizatoret e Konferencës, së cilës në një mënyrë i printe SHBA dhe Anglia, kurse delegacioni serb një projekt- marrëveshje, që parashihte projekt marrëveshje politike për vetëqeverisje në Kosovë.
As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Hollbruk me presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë Slobodan Milosheviq, nuk pati mirëkuptim që ta pranonte marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.
Pas këtij takimi gjithçka mori fund dhe, më 24 mars 1999 filluan bombardimet e Natos në caqet ushtarake serbe.
Pas sulmeve të Natos Serbia detyrohet, që më 6 qershor të nënshkruaj marrëveshjen, që sot njihet si Marrëveshja e Kumanovës, e cila parashihte largimin e trupave serbe nga Kosova dhe vendosjen e trupave ushtarake ndërkombëtare.
Pas kësaj marrëveshje OKB-ja miratoi Rezolutën 1244, kur Kosova u vendos nën protektorat ndërkombëtar, UNMIKU si mision civil dhe KFOR-i si mision ushtarak.
E përmendëm këtë kronologji të ngjarjeve nga Parisi deri te fundi i luftës, për të parë se çfarë është diplomacia e forcës, e cila ruajti konsistencën gjatë tërë kohës.
Opinionit tonë i kujtohen veprimet e sekretares së shtetit Madeleine Olbright dhe qëndrimin e ish presidentit Klinton.
Pas çdo stuhie, në fund janë krejt të zakonshme uljet në tavolinë për t`i dhënë kahe veprimeve dhe vendimeve për vendet që gjenden në konflikt.
Ne shqiptarët, shikuar historikisht, më shumë kemi qenë jashtë tavolinave ku është vendosur për ne. Gjykuar nga kjo rrethanë shpërndarja e shqiptarëve në shumë shtete, ose humbja e identitetit nuk ishin veprime të rastësishme nga qeveritë e ndryshme ballkanike.
Prandaj e vetmja luftë që kombinoi edhe diplomacinë dhe luftën politike, mbetet kjo e UÇK-së. Natyrisht diplomacia dhe sigurimi i aleatëve janë ndër faktorët më të rëndësishëm për arritjen e objektivave të një populli.
Fuqitë e mëdha rriten dhe zhvillohen mbi popujt e vegjël. Nga kjo sentencë dhe nga studimi i luftërave qindra-vjeçare të popujve të Ballkanit, shqiptarët janë të vetmit që arritën të ruajnë, bashkëveprojnë dhe t`i sintetizojnë arsyeshëm vlerat e përbashkëta me Shtetin Amerikan. Kjo lidhje solli përkrahjen e fuqishme të liderëve të Kosovës në Rambouillet në krye me Hashim Thaçin, por u shtrua dhe vizioni për të ardhmen e Kosovës.
Për të përforcuar këtë kohezion politik, ushtarak dhe diplomatik të Hashim Thaçit, le t`i citojmë disa personalitete botërore, të cilët kanë shprehur konsiderata, të cilat i ka përmbledhur Ismajl Syla në vijim të diskursit tonë:
Bill Klinton, president i SHBA-ve, nëntor 1999 (Aeroporti i Prishtinës):
“Më vjen keq që nuk jemi takuar më herët, për t’i dëgjuar orientimet tuaja demokratike.”
Wolfgang Petrich, ambasador i BE-së, i ngarkuar për Kosovën: “Kosova/ Kosova”, Vjenë, nëntor 1999:
“Më në fund u takuam me njeriun e vërtetë, me të cilin mund të bisedojmë për Kosovën”
James Rubin, zëdhënës i Stejt Departamentit të SHBA: “Si e fituam luftën” 2000:
“Ne së bashku e gjetëm kompromisin (vër. Rubin – Thaçi) dhe e shpëtuam Konferencën…”
Madeleine Albright, sekretare e shtetit e SHBA-s, Washington, gusht 2001:
“Nuk kam gabuar kur kam thënë, se je politikan i lindur gjatë kohës së Konferencës së Rambouillet. Angazhimet tuaja gjatë luftës dhe pas luftës, ma kanë përforcuar mendimin se ti ke dhunti politike. I besoj vizionit tuaj, vizion që i ka munguar Kosovës.”
Zbigniew Brzezinski, Instituti për Studime Gjeostrategjike i SHBA-së: “Kam dëgjuar gjëra të mrekullueshme për Ju. Unë i çmoj njerëzit e fortë dhe këmbëngulës si Ju.” ( Washington DC janar 2001).
Oja Agynesh, akademike turke dhe deputete: “Thaçi është një lider shumë impresionues dhe shpresoj në suksese sa më të mëdha të tij. Unë e çmoj qëndrimin e tij, sakrificën e tij, i çmoj njerëzit që punojnë me të, që angazhohen për pavarësi…., është e papërshkrueshme kjo. Ne të gjithë duhet të lutemi për suksesin e tij”, pohoi Agynesh.
“Unë jam eksperte për Ballkanin. Gjatë viteve ‘90 vazhdimisht i vizitoj këto pjesë të Ballkanit. Në analizat e mia unë kam cekur se vetëm rruga diplomatike nuk është rruga që do t’i çonte përpara kosovarët. Gjithashtu, duke e njohur mirë mentalitetin serb, se si ata i planifikojnë gjërat që më parë, ata kanë plane të errëta më se 100 vjeçare se si t’i nënshtrojnë kombet përreth. Për të luftuar serbët, duhet që të kesh veti të larta njerëzore, të jesh i fortë, i përcaktuar, i pa luhatur dhe i gjindshëm. Të gjitha këto veti unë i pashë te Thaçi dhe mendoj se në momentin e duhur ai e gjeti rrugën e duhur.”
James Petiffer, publicist britanik, në Intervistë, nëntor 2001: “Hashim Thaçi ishte zemra e asaj lëvizjeje, pra UÇK-së, dhe si i tillë meriton vëmendje nga historianët e ardhshëm…. Hashim Thaçi, personalitet i respektuar dhe i dëshmuar gjatë luftës, është përfaqësues kryesor i Kosovës së re”.
Ismail Kadare “Ra ky mort e u pamë”, Onufri 2000: Gjatë vizitës që i bëri delegacioni i UÇK-së shkrimtarit “…ata, me këtë gjest, me këtë këshillim tregojnë se pavarësisht nga shtresimet e pashmangshme të një guerilje ballkanase, e kanë një dozë të fortë idealizmi, një përmasë që i lidh me të ardhmen, me qytetërimin evropian.”
Wolfgang Petrich, Vjenë, më 20 janar 2015: “Është nder dhe privilegj i madh të prezantoj Hashim Thaçin si marrës të çmimit “Golden Arrow Lifetime Achievement Award”.
Hashim Thaçi është një personalitetet, i cili ka shkruar historinë evropiane nëpërmjet dy ngjarjeve të shquara:
Më 17 shkurt 2008, Hashim Thaçi si Kryeministër i parë i Republikës së Kosovës, e ka çuar vendin e tij drejt Shpalljes së Pavarësisë.
Pesë vjet më vonë, në prill të 2013-s, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, u arrit marrëveshja historike mes Serbisë dhe Kosovës, “për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje”.
Diplomacia dhe politika koherente në kohë dhe hapësirë janë dimension i veçantë i cili i fiton betejat edhe më të rënda.
Kalorësi i fundit i shtete-bërjes së Kosovës është mbase e vështirë të kuptohet nga padija dhe mentaliteti ballkanik i disave, që asnjëherë nuk arritën të transformohen në një mentalitet të integruar dhe e evropian.
SHBA-të e ruajnë me fanatizëm Xhorxh Uashingtonin, Franca Charles de gaulle e shumë popuj të tjerë i çmojnë personalitetet e veçanta, i ruajnë si vlera të përhershme kombëtare.
Një ditë kalorësit e lirisë do ta pushojnë kalërimin, por meqë arritën cakun e synuar shekullor, në përfytyrimin tonë ata do të mbetën kalorës të historisë kombëtare!
Njëri nga kalorësit që doli nga amfiteatri i Prishtinës, do të shpalohet gjatë në studimet e ardhshme shkencore, politike dhe gjeostrategjike edhe përtej Siujdhesës Ilirike të emërtuar politikisht Ballkan. /2LONLINE.com/