Për nder të Ditës Evropiane për Siguri në Rrugë, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, ndoqi nga afër procedurat e kontrollimit teknik të automjeteve në një nga qendrat e licensuara për kryerjen e këtij shërbimi.
Me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve të Kosovës si dhe të minimizimit të aksidenteve rrugore, ministri Lekaj ka bërë apel te të gjithë poseduesit e automjeteve që të mos bëhen pjesë e trafikut rrugor, nëse automjeti i tyre nuk është në rregull teknikisht.
Mesazh paralajmërimi ministri i ka dhënë edhe qendrave të kontrollave teknike, për moslëshim apo neglizhim të kontrollave teknike të të gjithë automjeteve, dhe përmbushje të obligimit siç parashihet në licencën e tyre.
“Ne si Ministri e Infrastrukturës po e bëjmë më të mirën e mundshme që të kemi rrugë dhe automjete të sigurta, për ruajtjen e jetërave të njerëzve”, tha ministri Lekaj, gjatë deklaratës për medie.
Prezentë gjatë këtij takimi ishte edhe Policia e Kosovës, të cilët treguan për bashkëpunimin që kanë me MI-në, për rritje të sigurisë në rrugë.
Iniciativa e paralajmëruar ditë më parë nga ministri Lekaj, për testimin e frenimit të automjeteve falas, tanimë është në dispozicion të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe këtë shërbim qytetarët mund ta kryejnë deri në përmbylljen e ditës së mërkure.