Mes gatishmërisë dhe vendosmërisë së tij, për të vazhduar me aksione të tilla, në njërën anë dhe zërave të herëpashershme nga tabori opozitar me “akuza” për fushatë politike, në anën tjetër, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka vazhduar të jetë pjesë në aksione për pastrimin e ambienteve të degraduara nga mbeturinat.
Fotografitë nga aktivitetet e tilla bëjnë që të kemi pamje që do të duhej të na turpërojnë, por pastaj edhe të tilla, pas përfundimit të aksioneve, po nga e njëjta hapësirë, që na obligojnë, nëse jo për tjetër, së paku për të respektuar dhe vlerësuar lartë të angazhuarit në aksione të tilla, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Një aktivitet i tillë për të pastruar ato hapësira, të pushtuara nga mbeturinat, është kryer sot edhe në një rrugë të Gjilanit ku kanë qenë të përfshirë shumë akterë.
“Me iniciativën e Egzon Xhelilit, kemi marrë obligimin për pastrimin dhe krijimin e një ambienti më të pastër në rrugën “Feti Vogli”. Aty ishim bashkë me ekipet e Policisë së Kosovës, Zjarrfikësit, Inspeksionin Komunal. Ishte një ambient tmerrësisht i papastër, me një shtëpi ku përdorej nga të rinjtë e pjesëve të ndryshme, të cilët brenda personalitetit të tyre, fatkeqësisht, kanë marr rrugë negative”, është shpreur Ismajli.
Ai shtoi se brenda kësaj lagje, bashkë me përfaqësuesin e komunitetit rom, Fadil Demiri, me ekipën e mrekullueshme të Egzonit, si dhe me pjesëtarët e komuniteti rom, arritën që bashkërisht, ta çrrënjosin një ambient shumë të degraduar, duke larguar një sasi të konsiderueshme të mbeturinave dhe duke e dezinfektuar rrugën e kësaj pjese.
“E mira e gjithë kësaj është, se në këtë lagje është rikthyer realiteti i një ambienti të cilën kjo lagje është dashur ta ketë, dhe, nga e cila, banorët e kësaj lagje u zotuan që do ta mirëmbajnë. Nga ana e Inspeksionit Komunal, u vendosën shiritat rrethues, të një objekti të pabanuar, tek i cili gjendjej një armatë e tërë mbeturinash e shiringash”, ka thënë tutje nënkryetari ismajli, për të falënderuar Egzonin me ekipë, komunitetin rom, zjarrfikësit dhe deponin e mbeturinave, të cilët u angazhuan maksimalisht, që të eliminohej një barrierë e rëndë e cila e kaplonte këtë lagje.
“Vendi jonë po përballet me sfida mjedisore dhe klimën e krijuar, nga të cilat po kërcënojnë mirëqenien tonë. Megjithatë, asnjëherë nuk është vonë t’i qasemi atij. Detyra në fillim mund të duket e frikshme, por, ne ende kemi mundësinë për t’i kthyer disa nga tendencat pozitive, të përshtatemi për ta minimizuar dëmtimin e ambientit, dhe, të rivendosemi në një imazh pozitiv në ngritjen e kapaciteteve tona përballuese ndaj çdo tendence për ta dëmtuar të mirën publike:, ka thënë Arbër Ismajli,
Sipas tij, kjo e mirë publike na përket të gjithë neve dhe jemi ne ata, të cilët duhet të investojmë në mirëmbajtjen e hapësirave publike.
“Vetëdijësimi qytetar ndaj përkujdesjes së ambientit, duhet të jetë definicion bindës i çdonjërit prej nesh. Jam shumë i bindur, që vetëm të bashkuar në këtë formë ia dalim”, ka thënë nënkryetari Ismajli. /2LONLINE.com/