Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot së bashku me deputetin Driton Hyseni, njëherazi kryesues i delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe gjeneral Naim Hazirin, pritën në takim delegacionin e Belgjikës të kësaj asambleje, në përbërje të: Peter Buysrogge, Theo Francken dhe Philippe Courard.
Me këtë rast, Ministri Mehaj i njoftoi të pranishmit rreth fazës në të cilën jemi sa i përket implementimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, avancimit të FSK-së në aspekt profesional e operacional gjatë dy viteve të fundit, e me theks të veçantë për punën e jashtëzakonshme të Qendrës Ndërkombëtare Trajnuese të Kërkim-Shpëtimit, që funksionon në kuadër të Komandës së Gardës Kombëtare të FSK-së në Pomazatin.
“Me gjithë profesionalizmin e treguar nga ana e pjesëtarëve të FSK-së në çdo mision e trajnim përkrah ushtrive të shteteve partnere, Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të kontribuojë në misionet e NATO-s me Republikën e Kosovës si anëtare të saj, andaj temë diskutimi ndër të tjerash ishte edhe mbështetja që na duhet për anëtarësim në Programin e Partneritetit për Paqe, e përveç kësaj për thellimin e bashkëpunimit me Belgjikën në fushën ushtarake përmes nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi me shtetin belg, si dhe emërimin e atasheut të mbrojtjes në këtë shtet.
Bashkë i kontribuojmë stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, ka thene ministri Mehaj. /2LONLINE/