Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, në kuadër të manifestimit kulturor “Flaka e Janarit”, së bashku me zyrtarë të tjerë komunalë kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve.
I pari i komunës ka marr pjesë edhe në programin artistik i cili është organizuar për nder të manifestimit “Flaka e Janarit”.
Ky program ka filluar me disa aktivitete si: Ora Letrare “Ibrahim Ibishi” ku 20 autorë vendas kanë prezantuar punimet e tyre, duke vazhduar me Themelimin e këndit të autorëve të vendlindjes në bibliotekën e qytetit, ku janë ekspozuar veprat e artistëve Adem Kçiku, Arta Llapashtica, Arbenita Kryeziu dhe Jasmir Morina. Manifestimi “Flaka e Janarit” ka vazhduar programin me Ekspozitën e artit pamor, si dhe shfaqjen e dy filmave artistik: “Rruga” me regjisor Besim Ugzmajl dhe filmi “The farmer’s blue” me regjisor Ibër Deari.
Kryetari Rahimaj ka thënë se në manifestimin e Flakës së Janarit, në 40 vjetorin e rënies së Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, dhe 38 vjetorin e rënies së Nuhi Berishës e Rexhep Malës, nderojmë me përulësi e krenari jetët dhe veprën e tyre.
“Në një periudhë tepër të vështirë për shqiptarët e Kosovës, këta patriotë e kishin të qartë se rruga drejt çlirimit nuk ishte e lehtë, e për të arritur deri tek ky qëllim duhej bashkim e veprim. Aktiviteti i tyre kulturor e kombëtar filloi qysh në vitet 60-ta, për të vazhduar në vitet e 70-ta me pjesëmarrjen nëpër organizata të ndryshme kombëtare nacionalçlirimtare, për t’u intensifikuar në vitet 80-ta me protestat e studentëve të vitit 1981, e për të kulmuar me rënien e tyre heroike në Janar të viteve 1982 dhe 1984. Ata ishin zë kumbues kundër robërisë e shpresë e një populli në rrugëtimin drejt lirisë. Ata përfaqësonin realitetin që okupatori përpiqej aq shumë ta luftonte, e pikërisht për këtë arsye edhe u bënë cak i shërbimeve famëkeqe jugosllave”, ka thënë ai.
Kryetari Rahimaj theksoi se këta dëshmorë nuk kursyen kurrë asgjë nga vetja që atdheu ynë të shihte dritë, dritë që kulmin e ndriçimit e arriti me Flakën e Janarit,
“Flakadan në mes të errësirës, frymëzues i brezave e udhërrëfyes drejt lirisë. Dëshmorët e përfunduan borxhin e tyre ndaj atdheut, ideali i tyre për liri u realizua e Kosova u pavarësua. Por, natyrisht se amaneti i tyre nuk përfundon me kaq. Për një komb të okupuar, synimi i tij është çlirimi dhe shtetformimi, e pas arritjes së këtij qëllimi, etapa tjetër, rrjedhimisht, është konsolidimi, sigurimi i prosperitetit, ndershmërisë në qeverisje, zhvillimi ekonomik e kulturor, e emancipimi i shoqërisë”, theksoi ai duke shtuar se tashmë përgjegjësia na mbetet neve, të gjallëve, brezave të rinj, që idealin e dëshmorëve të mos e harrojmë, e të mos devijojmë nga rruga që ata na e trasuan.
Aktivitetet e manifestimit “Flaka e Janarit”, janë organizuar nga koordinatori Lavdim Klaiqi në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe Klubin Letrar “Nositi”. /2LONLINE/