Në bibliotekën “Fan s. Noli”, në Gjilan kanë filluar veprimtaritë letrare të Manifestimit tradicional “Vjeshta letrare e Gjilanit”, edicioni i pesëmbëdhjetë me radhë që organizohet nga Asociacioni Alternativ i Shkrimtarëve të Kosovës, me seli në Gjilan, Ars Clubi “Beqir Musliu”.
Kreu i këtij asociacioni, Sabit Rrustemi, ka thënë se ky është një jubile i vogël, por shumë i rëndësishëm, të cilin sivjet me praninë e tyre e kanë madhështuar poetët Nazmi Rrahmani, Anton Nikë Berisha dhe Murat Ajeti, sikurse edhe ish-deputetët Ismajl Kurteshi dhe Lirije Abdurrahmani Kajtazi.
Rrustemi ka bërë prezantimin e aktiviteteve të “Vjeshtës Letrare”, ku sot janë prezantuar gjashtë libra me poezi, derisa vetëm gjatë këtij viti nga SHB “Beqir Musliu” janë botuar mbi 20 libra, tri nga të cilat janë financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Shkencës, kurse Gjilani edhe më tej po e mbanë epitetin e qytetit të artit dhe të kulturës.
Nexhat Rexha, poet dhe kritik i artit letrar ka theksuar se “Vjeshta Letrare” po na bashkon, në të po prezantohen vepra të shkrimtarëve nga e gjithë hapësira mbarëshqiptare. Ai ka përmendur veprat që janë promovuar gjatë verës që sapo mbaroi si “Netët e Karadakut” të Ibrahim Kadriut, “Frymë atdhe-dashurie” të Izet Kallabës, “Dritën ti e ndeze” të Ibush Vishit, “Kur dielli lind në bebëza” të Zanë Malit, “Uni i ndarë” të Kaltërina Berishës dhe “Era shtegton hullive të ëndrrave” të tetë autorëve arbëreshë, libër ky i përgatitur nga Anton Nikë Berisha.
Anton Nikë Berisha, kritik letrar ka folur për librin “Era shtegton hullive të ëndrrave” të tetë autorëve arbëreshë dhe ka theksuar se ne kemi nevojë të dimë dhe të mësojmë se çka shkruajnë të tjerët. Ai tha se në këtë libër me poezitë e tyre të veçanta janë paraqitur tetë autorë arbëreshë, shumica e të cilëve janë poete femra.
Në fund të kësaj ngjarje kulturore secili nga autorët e prezantuar kanë deklamuar nga një poezi të veprave të tyre.
Përndryshe, manifestimi “Vjeshta letrare” vazhdon me aktivitetin e radhës të shtunën tjetër. /2LONLINE/