(Meditim për romanin “Ata dy të burgjeve”, të shkrimtarit Ibrahim Kadriu, edituar nga Shtëpia botuese, “Faik Konica”, Prishtinë, 2019)
Shkruan: Sherafedin KADRIU – 2LONLINE.com
Ibrahim Kadriu ka një stil rrëfimi të veçantë të ndërtuar nëpër vite. Nuk janë pak 50 vjet krijimtari letrare. Brenda këtij 50vjetëshi është prezantuar me një varg të gjatë veprash në poezi, prozë e dramë, njëkohësisht duke qenë i përfaqësuar në antologjitë letrare më të arrira të Kosovës, dhe i përkthyer në disa gjuhë të huaja.
Romani që kemi përpara “Ata dy të burgjeve” 2019, është përplotësues i mirë i konstatimit të mësipërm. Ky roman sjell një tematikë interesante, të njohur për ne, se është përditshmëria jonë, është e tashmja konkrete historike, që në roman nuk paraqet tjetër pos një teatër absurd ku edhe idetë janë absurde, ndaj dhe aktet shpesh përfundojnë si të tilla.
Autori ka guxim intelektual e moral të futet në thellësitë e jetës, të kërkojë nga ajo fshehtësitë e mbyllura në do kuti të vogla miqësore, duke sjellë përpara lexuesit një tematikë të zgjeruar, të analizuar, sintetizuar e vlerësuar si shkallë më e lartë taksonomie. Le të përmendim disa prej temave të tilla: katrahurat e pësuara në burgjet jugosllave dhe në ato të Shqipërisë, një krahasim i ideve të të burgosurve; sisteme sigurimesh si UDB-ja dhe Sigurimi Shqiptar; rritja e numrit të veteranëve të luftës së UÇK-së; shkollimi shqiptarëve në gjuhën shqipe në vendet perëndimore në raport me procesin e organizimit fetar; depërtimi i frymës së ISIS-it në Kosovë, një traditë arabe edhe në veshje; figurat politike të ngritura nëpërmjet korrupsionit, vrasjeve etj. etj.
Të gjitha këtyre temave dhe jo vetëm këtyre, u prin linja kryesore e romanit, e cila thyhet në të mirë të kompozicionit. Si e tillë, me pak fjalë ajo duket kështu: Lul Bushati i kthyer nga burgjet e Shqipërisë ka gjetur miq në lokalin “Ofshama”, ku mblidhen të burgosurit politikë shqiptarë që kanë vuajtur dënimet në burgjet ish jugosllave. Njihet me ta, e me njërin prej tyre, Hesetin e Demirit, afrohet më shumë se me të tjerët, edhe pse mu me të ka kundërshtitë më të mëdha. Të përbashkët kanë burgun, ndërsa kundërshtitë vijnë si shpërfaqje e qëndrimit që kanë ndaj figurës së Enver Hoxhës, njëri pro e tjetri kundër. Megjithatë, burgu nuk qe rezultat i pro dhe kundër figurës së Enverit, por pasojë e kundërshtisë, njëri ndaj pushtuesit, e tjetri ndaj pushtetit. Prandaj, nuk duam ta banalizojmë burgun e tyre me një formësim përmbledhës kaq të thjeshtë, megjithatë, ti vendos nëse fjalën do ta vësh në shërbim të së keqes, apo ta ndalësh gojën që gjuha të mos shkasë në mëkat!
Përputhja mes materies dhe frymës së tekstit
Për këtë arsye, kujtojmë që autori qëllimshëm ka zhvilluar këtë lojë me figurën e Enverit duke e trajtuar si negacion të meditimeve, mendimeve, veprimeve, guximeve e zhgënjimeve të këtyre dy personazheve, të cilat paraqesin dy karaktere të rritur si idealistë të pathyeshëm. Pra, karaktere që nuk thyhen asnjëherë, sikur që nuk thyhen as doktrinat politike e filozofike, të cilat i kanë ndërtuar, arsyetuar e sforcuar në kushte e rrethana jo njerëzore.
Nuk janë më pak të rëndësishme problemet tjera që ndërhyjnë në linjën kryesore të zhvillimit të romanit. Babai i Lulit, Ukshini, që mban qëndrim pro ndaj figurës së Enverit, prandaj Luli nuk do të rrijë në shtëpinë e të atit; ikja e motrës Dea për Turqi, që t’i bashkëngjitet ISIS-it, letra sqaruese e saj, interesimi i Lulit për të gjetur shkaktarin e vuajtjeve të së motrës, kushëriri Genci dhe roli i famëkeqit Servet Okllapi në këtë rrëmujë etj.; dhe zgjidhja e konfliktit të ndërtuar krejt natyrshëm: babai i Lulit vdes dhe varroset bashkë me foton e Enverit, Dea e ka falur Gencin, i cili ka bërë ç’është e mundur të fshijë gabimin që mbetet një vrimë gozhde e pa mbushur kurrë.
Historitë e personazheve të këtij romani përmbushen dhe bëhen të besueshme ndikuar nga vetë kompozicioni i veprës, që realizohet nëpërmjet gjuhës a fjalëve. Romani është fjalë, vetëm fjalë të përzgjedhura, të radhitura sipas dijes e përvojës që ka autori, pra sipas stilit të tij. Në roman ndodh përputhja ndërmjet materies dhe frymës së tekstit, që si tërësi me të drejtë konsiderohet tekst i përfunduar e i plotësuar sepse autori e ka thënë nëpërmjet tij atë që ai ka dashur ta përçojë.
Udbashët dhe sigurimsat zënë një vend të mirë në këtë roman, dhe s’mund të ishte ndryshe, aty ku ka gjahtarë, patjetër që do të ketë edhe zagarë. Të dy palët, si të thuash kanë bërë të njëjtën shkollë. Dinë të të shkaktojnë vuajtjet nga më të dhimbshmet, nga më trishtueset, si në aspektin fizik, po ashtu edhe në aspektin psikologjik. Dhe, lexuesi mund të thotë se formësimi i mësipërm nuk është logjik, duhej të dukej kështu: si në aspektin psikologjik, po ashtu edhe në aspektin fizik. Duke e konsideruar një torturë fizike më të rëndë se torturën psikike. Ne kujtojmë që është e kundërta. Sepse të të mundin fizikisht është vetëm provë qëndrese, ndërsa të të mundin psiqikisht është fundi i qëndrimit.
Nuk del më pak trishtuese loja me zërin e nënës e të babës në qelinë apostafate për mundime psikologjike të të burgosurve, që po bënte Sigurimi Shqiptar me Lul Bushatin sesa çfarëdo dhune tjetër fizike. Kështu mund të thuhet edhe për lojën që bëjnë udbashët me zërin e gruas së Suel Bitrit, sikur ajo ishte dashnore e dy politikanëve dhe po bënte seks me ta. Trishtimi sa vjen e rritet, ani pse atë lojë po ia bëjnë njeriut të tyre, informatorit të tyre, i cili dikur kishte shpifur për shqiptarët që kundërshtonin pushtetin serb në Kosovë. Ndryshe është me Servet Okllapin, vdekja e të cilit nuk është se të vret moralisht, sikundër nuk e kishte vrarë moralisht as ekzekutuesin e tij, Genc Bushatin.
Në anën tjetër, tema e ISIS-it që vjen nëpërmjet motrës Dea, aktualizohet, analizohet e gjykohet, nga këndi i dy të burgosurve, ndërsa mungon gjykimi i shtetit dhe i shoqërisë. Do të ishte interesant sidomos gjykimi i shoqërisë, sepse të burgosurit edhe ashtu përfaqësojnë vetëm një klasë të veçantë të shoqërisë kosovare.
Një prej personazheve, karakteri i të cilit përputhet me temperamentin e vet, është Genc Bushati. Ky karakter i formësuar të befason këndshëm (sipas Erik From), me sjelljet dhe pozicionin e tij që merr gjatë veprimeve të tija në aq fjali sa bën jetë gjuhësore. Të rëndësishme paraqiten ndryshimet në karakterin e tij, por pa ndikim autorial. Janë ndryshime që vijnë të bazuara nga veprime të kundërshtarit, si proces reagimi dhe vetëdijesimi për të ndrequr atë që kishte prishur shumë keq.
Përmendja e disa emrave të figurave reale, Arianit Çela, Todi Lubonja e Fatos Lubonja, Ramiz Cernica, djali i tij Raifi, bija e Enver Hoxhës, Pranvera Hoxha, miku i shqiptarëve, francezi Jan Iv Carlen, e ndonjë tjetër, nuk do të thotë se romani ka elementin historik, përkundrazi këto personazhe rastësisht mbajnë ata emra, përndryshe janë vetëm personazhe gjuhësore. As ata, e as edhe ndonjë datë historike e zënë ngoje, nuk mund ta prishë bukurinë, të vërtetën dhe besueshmërinë e idesë së romanit që është më shumë se realiteti. Kjo frymë moderne në trajtime karaktere antonimesh, është konceptuar si rezultat i pozicionimit të figurave të caktuara, të cilat duket nganjëherë se janë të pavarura në veprimet e tyre, përkundër tendencës së synuar të autorit që të formësojë një substancë të shëndoshë shoqërore. Ndodh kështu pse botëkuptimi filozofik, etik, estetik e letrar i Ibrahim Kadriut karakterizohet me pakënaqësi, që ndonjëherë merr përmasa zhgënjimi, por që gjithsesi nuk është se e ka humbur shpresën. Shpresa është në frymën e veprimit dhe të shfaqjes së idesë, jo vetëm pse mund të mbahet çfarëdo qëndrimi, por pse nuk i jep llogari askujt. Çështje tjetër është nëse kritiku letrar a, sidomos lexuesi pajtohet ose jo me idenë autoriale, e cila fatmirësisht në këtë roman nuk merr tipare të tendencës.
Si rrumbullakësim
Romani “Ata dy të burgjeve” cilësohet me kompozicionin që është në funksion të idesë së karaktereve, më përpara sesa të konfliktit që vjen e materializohet në mënyrë të natyrshme, si burim i një visore dukurish të temave të realitetit. Angazhimi i I. Kadriut në këtë aspekt mbetet si një pikë reference për filozofinë dhe psikologjinë e personazheve, të cilët diktojnë angazhime për përmbushje objektivash të matshëm. Por, për stilin e autorit, të rëndësishme duhet konsideruar edhe letrat, dy prej tyre të motrës Dea: Letra për identitetin e ndryshuar dhe Letra nga Parisi, Letra dërguar Servet Okllapit nga Lul Bushati dhe një mesazh celulari nga Genc Bushati për kushëririn, Lulin. Në këto letra e mesazhesh personazhet e caktuara shprehin botën e tyre të brendshme dyshimet për problemet që tashmë janë aktualizuar, interesimin për zgjidhjen e tyre, guximin për t’u përballë me të keqen, dashurinë për njerëzit e afërm etj.
Shkrimtari, Ibrahim Kadriu, me këtë roman e ka funksionalizuar një rrëfim jo të rëndë, por veprues njëkohësisht, i cili është ndarë në tregime të veçanta, të titulluara, pa qenë të shkëputur njëri prej tjetrit, përkundrazi secili prej tyre lidhet kënaqshëm me tregimin paraardhës dhe pasardhës. Ky libër është nga ato romanet që e kënaq lexuesin, i cili mund ta lë leximin për ndonjë arsye, por duke mos ikur për të mos u dukur më, sepse i ka mbetur zhig si thonë për t’ia parë fundin ngjarjes. Kjo, pse teknika e rrëfimit nuk është hermetike, prandaj edhe situatat dhe zgjidhja e konflikteve në situata konkrete, karakterizohen nga thjeshtësia dhe thellësia jetësore e karaktereve të ndryshme në raport me ngjarjet, në të cilat janë “të dënuar” të jenë pjesëmarrës aktivë dhe kontribuues seriozë të tyre.
Virtyt të lartë të këtij autori do duhej konsideruar mjeshtërinë e tij për të transmetuar mesazhin e artistit në një mënyrë shumë të thjeshtë e të qartë (parafrazim i një citati), si atëherë kur bën përshkrimin e ambientit, zakonisht me pak fjalë, duke i lejuar imagjinatës që ta ndërtojë vetë të tillin ambient (shemb. 1), si kur përshkruan psikologjinë e personazhit (shemb. 2), ose kur ndodhet në rolin e medituesit (shemb. 3), apo kur përshkruan dialogë dramatikë (shemb. 4).
1…
Në rolin e përshkruesit të ambientit:
Zyra-kabinet ishte akustike, me dy dritare të mbuluara me roleta, kurse dera e zyrës ishte e mbuluar me saftjan. Kuptohej se përveç atyre që ishin brenda, askush tjetër nuk mund të dëgjonte se çfarë transmetohej. F. 123.
2…
Në rolin e rrëfimtarit
Shumë vonë e kishte kuptuar filozofinë e jetës të cilën e ushqente vetëm me sinqeritet. Por vonë e kishte kuptuar se sinqeriteti në shoqëri të të pasinqertëve, nuk ishte tjetër, veç një debakël shpirti. Këso debakli kishte përjetuar pandërprerë gjatë gjithë kohës në burgje, gjatë gjithë asaj kohe kur mendonte se, të jesh në liri, do të lirohesh nga hipokrizitë. Me të dalë nga ajo skëterrë, ishte bindur, se jashtë grilave, kishte idiotizma edhe më të mëdha, dinakëri edhe më të avancuara, manipulime më ordinere, dyfytyrësi më të rryer, arrogancë më të përfillur, kishte të papritura e të pa imagjinuara, të ardhura si nga qielli për fatkeqësi të të tjerëve. F. 79-80.
3…
Në rolin e medituesit
“Të gjithë ne futemi në shtigje që nuk e dimë se ku dalin, në udhë që nuk e dimë ku çojnë. Ecim përpara nëpër jetë pa e ditur se ku na shpie ajo vërtet. Paksa si në një libër, tregimi i të cilit na merr e na bart pa e ditur në nisje përfundimin e rrëfimit…” f. 60
4…
Një dialog dramatik
– Por, hiqi nga koka sharjet në adresë të Enver Hoxhës, sepse po ma ngrit tensionin.
– Të lutem, më le rahat. Mos më lodh me atë emër!
– Prandaj, që të mos lodhesh, mos e përmend. Dua të them mos e shaj.
– Në rregull ore! Ja ku po ta them se më nuk do ta shaj atë pis! A bën të më lësh vetëm tash? Ik! Shihemi ndonjë ditë tjetër. F. 57. /2lonline.COM/