Shumë media raportuan për ndërprerje të stërvitjeve të Përfaqësueses së Kosovës në Bullgari, për shkak të thirrjeve nacionaliste të tifozëve bullgarë.
Federata e Futbollit e Kosovës për më tepër ka dalë me një komunikim zyrtar, teksa ka demantuar informacionet e fundit që vijnë nga disa media.
FFK bën thirrje për të ruajtuar atmosferën brenda ekipit.
“Federata e Futbollit e Kosovës demanton raportimet e mediave se stërvitja e sotme në Sofje është ndërprerë për kinse provokimet nga tifozët bullgarë. Raportimet e tilla në prag të ndeshjes janë qëllimkëqija dhe si të tilla ne si FFK i vlerësojmë të dëmshme edhe për atmosferën në ekipin kombëtar. Stërvitja e sotme ka shkuar sipas parashikimeve të stafit të trajnerëve, ku pjesa e futbollistëve që kanë luajtur në ndeshjen e djeshme në Podgoricë kanë bërë vetëm rigjenerim, derisa pjesa e futbollistëve që nuk kanë luajtur kanë ushtruar me intensitet më të lartë”, thuhet ndër të tjerash në komunikatë.