Nga Zejnullah Jakupi
Ishin bërë edhe më parë përpjekje për të filluar Festivalin e Këngës në RTK nga viti 2007, 2009, por pa sukses. Në fillim RTK ballafaqohej me problemet e veta. Nuk ishte vetëm problemi i parasë. Kishte trysni politike, konkurrencë mes artistëve. Kush do ishte i pari, kush do ta udhëhiqte. Nuk dinte askush se si ta bënte ose mungonte vendosmëria e udhëheqësve të RTK-së. Ose mungonte mbështetja nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Ishin në pyetje (sa edhe në fund kushtoi festivali 300.000 Euro. Na kujtohet një kohë kur RTK kishte buxhetin dri në 14 millionë euro. Por vallë si të lihet kjo punë fisnike për kaq pak para? Kishte konkurrencë vlerash nuk dallohej vlera dhe antivlera. Nuk dihej kush do ta merrte piarinë për të bërë vlera të vërteta muzikore dhe artistike? E çuditshme.
E tash u bë, por si ndodhi? Mos ishte Ndryshimi i madh politik i 14 shkurtit 2021-it? Me sa duket, ardhja e Albinit Kurtit, e drejtorit gjenral Shkumbin Ahmetxhekaj, i drejtorit të Bordit të RTK-së Besnik Boletinit, i drejtorit të TVK-së, Rilind Gervalla e i zëvendësdrejtorit Gjeneral Adi Krastës, i ministrit të kulturës Hajrullah Çeku, kryetarit të Komunës së Prishtinës me kulturë perëndimore Përparim Ramës? E sigurtë dhe e vërtëtë, gjithë këto prurje, parat e premtuara dhe të investuara dhe falë vullnetit të pashuar, për të bërë punë të mirë, e bëri të mundur ringjalljen e idesë së Festivalit të Këngës në RTK.
Dikur pas çlirimit mbretëronte kaos kulturor. Kosova doli nga lufta, nga vrasjet, shkatërrime e plotë dhembje dhe trauma. Kishim frikë, ishim të traumatizuar jetonim në eufori. Ishim të uritur për bukë, për liri, pastaj për pak jetë të mirë, për pak normalitet. Dalëngadalë filluan gjërat për së miri. RTP nuk u përtri, ajo trashëgimi. As Rilindja. Të vjetrit ishin gazetarë të mirë, por në rend dite errdhi një politikë e re për ta bërë ndërrimin e gjeneratave. Edhe në politikë edhe në kulturë dhe me artefaktet e saj. Elitat e para politike dhe kulturore ndoshta të kushtëzuar nga sistimi i ri demokratik, filluan ta mohojnë çdo gjë nga e kaluara. E nga këtu filloi të mbretëronte një mentalitet i kulturës së ulët- ai i pjesëve rurale. Elita e parashutistëve. Ajo ishte e politizuar dhe djallëzuar. Nuk e kuptonte shumë kulturën. Ose nuk ja dëshironte RTK-së Festivalin.
Kasta kulturore u rekrutua nga ajo politike dhe dirigjohej nga ajo. RTP u fundos, u harrua sikur “Akordet e Kosovës”, do falas pak më poshtë. Kjo e para vegjetoi gjithë këto vite. Ajo i kishte në qejf tubimet politike. RTK-ja si medium ishte bërë objekt çitjeje, bëhej zaptimi i redaksisë, punësoheshin kusherinjët, hallat e mbesat. Natyrisht agjentët kulturor – ta prishin edhe skenarin e lajmeve- intervenonin në përmbajtje dhe ushtronin cenzur. Ishte ajo gjenerata ´elitare´ e viteve që po lëmë pas. Aq dinin, aq mundenin. Ishin të pa shkollë, ishin fjalërëndë. Shumë prej tyre nuk kishin shkelur kurrë mbi tepihun e kuq. Ata parapëlqenin të pinin në ndeja, në përvjetorët epik të luftës. E kur deheshin hypnin mbi tavolina, ngazëlleheshin duke pirë e duke u zgërdhirë. Qëllonte ndonjëri prej lavdit të madh e kaplonte fama, pa një pa dy, shtinte me revole. Na kujtohen kohëra kur Ministria e Rrugës investonte në Ritëm të Rrugës. Kishte shije për muzikë për ritëm popullore, shije të tallavasë, e ndiqte shijen e masave e quajtur si ´popular culture´. Për 20 vite kjo elitë politike mbante pranë elitën popullore që prodhonte muzikë, gazetari, art me shije të ulët. Ishte kjo kultura e të fortit. Po kultura more Zotëri është si ajri që thithim do thoshte John F. Thompson.
Mjaftohej me koncerte në rrugë, me promovim në kllabe, në açihane, në zezëhane. Zatën, gjenerata e pasluftës aty e kuptoi rëndësinë e kulturës në formimin e identitetit dhe sjelljes së individëve. E artefaktet e tilla (ishte llumi kulturor) ishin ato që përcaktonin mënyrën tonë të të qenit në botë. Kështu, ajo pati ndikim të madh në atë se si mendonim, si ndjeheshemi, dhe si vepronim.
Ata nuk e panë, se ku gjendej „Rilindja“? Pse u mbyllë? Ishin pa sy. Nuk e panë Pallatin e Rinisë, ku organizoheshin dikur „Akordet e Kosovës“. Akordet ishin trashëgimia dhe krenaria e kulturës dikur mes viteve 60 dhe 90-ta të shkeullit 20.
Pallati ishte mbetur shkret, ishte mbushur bërllok. Ashtu si kultura e jonë e pas luftës, e përthyer nga shundit. Nga aty duhej bartur shumë kamionë bërllok. Duhej investim dhe rinovim. Këtë na e vërtetoi drejtori i Festivalit Adi Krasta, maestro i moderimit. U bë e u ribë, me një marrëveshje mes RTK-së, MKRS dhe Komunës së Prishtinës në vitin 2022. U miratua ligji për Festivalin, u zgjodh drejtori i Festivalit. Nuk u ra dakord që Festivali i Këngës në RTK, të ishte vazhdimësi e traditës „Akordet e Kosovës“. U vendos të quhej Festivali i Këngës në RTK. Kështu edhe u bë. Festivalët e tilla muzikorë janë një mënyrë e shkëlqyer për të shijuar muzikën live, për të ndierë atmosferën e festave, dhe për të promovuar talente lokale dhe ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje RTK4 u shndërrua në RTK4 në RTK Art. Me këtë memorandum, sipas MKRS-së “RTK do të rris kapacitetet e saj të produksionit dhe do të jetë edhe më afër artdashësve. Memorandumi i Bashkëpunimit është nënshkruar për një periudhë 5 vjeçare”.
Ideja ishte, sipas organizatorëve, që të ribëhej një „ringjalle“ e „Akordeve të Kosovës“ aty ku mbeti e lënë përgjymë në vitin 1990, kur Kosova u pushtua nga forcat serbe dhe rezhimi i Sllobodan Millosheviqit. Që atëherë Pallatit të Rinisë, askush nuk guxonte t´ja hapte dyertë. Nuk ua kishte ëndja ta hiqnin bërllokun. Pritonin t´ja nisnin punës, sepse ishin të nxën me punë të mëdha politike, me bërjen e planeve, luftimin e armiqëve të brenshëm. I luftonin „kundërshtarët“, këmba këmbës. Dyja palët thonin se kishin luftuar për një ditë të lirë që të jetohet pa frikë. Agjentët kulturor me shije të ulët ishin vrojtuesit e Panopitikum-it. Intervenonin kur krijoheshin këngët, ndërhynin kur shkruhej teksti, por edhe kur komponohej melodia. Ata e dëgjonin e kontrollonin çdo ritëm tingulli madje edhe zërin e bilbilit mos do fyej Vozhdën dhe Ndërmarrjen…
Ata e ngulfatën kulturën. Ata e mbyllën Rilindjen, RTP-në. EBU i dha Kuvendit të Kosovës dritën jeshile që ta themeloi RTK-në por s´shpejti, kasta politike ja nxuri frymën, e lanë këtë medium të mjerë në një qoshe si në skëterrë. RTK u shëndrrua në „Horror house“. RTK-ja ju duhej vetëm për propagandë, e lanë si qyqe, të mjerë, të frikësuar, në objektin e vjetër. Ajo ndihej e frikësuar e traumatizuar, nuk guxonte të nxirrte zë nga goja. Ja ndryshuan historinë, ja ndryshuan logon dhe e konservuan në një frigoriferë të akulltë pa drita dhe pa perspektivë. I kërcënonin gazetarët, ju inskenonin skena, i përjashtonin, i malltretonin mentalisht. I vështronin si në kullën e fildisht të panoptikumit të M. Foucaultit.
Nuk lanë derë të hapur për shije ndryshe, për shije elitare, për kritikë, për përkulturë të mirëfilltë muzikore dhe gazetareske. Në këto kushte lulëzonte kiçi, tallavaja, pseudokultura. E rëndësishme ishte që mediumi publik të mbyste zërin, ani pse mbaheshin anë e mbanë festivale Dokufest, Sunny Hill Festival, Beer Fest Prishtina ose Lake Fest dhe UnikFest. Por RTK nuk kishte mundësi. Ndodhte një modifikim i artit dhe kulturës i një konkurrence të egër komerciale e përcaktuar nga industrializimi dhe komodifikimi i artit dhe kulturës në shoqërinë, si “kulturë e masës,” ku arti dhe kultura përshtaten për të përshtatur shijet e audiencës së gjerë dhe për të krijuar produkte të lehta për konsum. E kështu ndodhte padiktuar periciklimi dhe komodifikimit i artit i cili e kishte humbur autonominë dhe vlerën e vet artistike duke u nënshtruar logjikës së tregut të masës, e cila e përshtatej për të kënaqur audiencën e gjerë dhe për të qenë e lehtë për konsum. Por, aty zakonisht mungonin vlera të thella artistike. Krijohej muzikë komerciale e cila kishte karakter uniform, krijonte përshtypjen e një monotonie të vazhdueshme, krijonte kiç dhe shund.
Ideja e bërjes së Festivalit të Këngës në RTK
Kjo die, ishte si nje dritë në fund të tunelit. Ajo dridhëronte e ndihej e gjallë e nuk i linte të qetë këngëtarët, kompozitorët, kritikët e rubrikës së kulturës. Ajo shfaqej në mendje të elitës së dikurshme që e kishin përjetuar festivalin kosovar të kohës të paraluftës. „Akordet e Kosovës“ ishte asokohe festivali më i rëndësishëm në Kosovë. Kosova asokohe përmes Jugovizionit përfaqësohej nga Radio Televizioni i Prishtinës (RTP) duke qenë edhe organizator i këtij manifestimi në vitin 1986. Nga „Akordet e Kosovës“ dolën këngë dhe emra të fuqishëm të muzikës shqipe si, Nexhmije Pagarusha, Luan Hajra, Musa Doroci, Tringa Gjikolli, Teuta Grajçevci, Emine Vala etj. Akordet ishin krenaria e Kosovës ku për 30 vite rrjesht nxorri shumë kompozitorë eminentë të asaj kohe, si Musa Piperku, Tomor Berisha, Severim Kajtazi Reshat Randobrava, Akil Koci, Fahri Beqiri, Mendi Menxhiqi etj., të cilët lanë gjurmët e tyre në muzikën e mirëfilltë shqipe.
Sipas Drejtorit Artistik Florent Boshnjakut Akordet kishin kishte tre mbrëmje, muzikë zbavitëse-moderne, popullore dhe ishte nata për fëmijë që u transmetuan që nga viti 1961 deri në vitin 1990. Nga ajo krijimtari mbetën 1500 krijime (supozohet çdo vit nga 60 këngë). Thuhet se rreth 1500 këngë që janë krijuar asokohe disa të ruajtur në partitura, në arkiva private ose shtetërore, të tjerat mbetën në mëshirën e fatit.
Kishin kaluar 19 vite harrese që kur kishin pushuar afirmimi dhe zhvillimi i potencialit krijues në një Festival si dikur Akordet e Kosovës. Tashmë kishim harruar si dikur pritnim të shohim në nismën e Festivalit Akordet e Kosovës më seriozitetin e daljes në skenë të Faik Himës, Drita Gërmizaj, Vera Hima, Antigona Kuqi Hivzi Krasniqi, Hys Shkreli, thotë gazetari dhe moderatori i RTP-së Hajriz Mamaj, i cili e kishte përcjellur Festivalin nga ekrani.
E pluhuri duhej shkundur
Këtë do ta bënte RTK-ja. RTK- mediumi publik ishte medium i vetëm publik në rajon icili nuk kishte Festival të Këngës, siç e ka ta zëmë shteti ynë amë, Shqipëria, Festivalin e Këngës në RTSH, një festival ky tradicional i këngës shqiptare që ka një histori të gjatë. Fituesit e këtij festivali përfaqësojnë Shqipërinë në Festivalin e Këngës në Eurovision.
Kosova, si një vend i pavarur, asnjëherë nuk ka marrë pjesë në konkursin e këngës në Eurovision, sepe Kosova nuk është anëtare e Unionit Evropian të Transmetimeve. Republika e Kosovës edhe pas shpalljes së Pavarësisë nuk ka qenë në gjendje të marrë pjesë si vend konkurrent në Konkursin e Këngës në Eurovision (ka vetëm rolin vëzhgues). Sidoqoftë, këngëtarët nga Kosova kanë garuar disa herë për Shqipërinë.
Arsyeja e dështimit të pjesëmarrjes së Kosovës ishte dhe mbetet tutje mungesa e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Radio-Televizioneve (EBU). Transmetuesi publik i Kosovës RTK ka disa vjet që kërkon pranimin në EBU si një kusht për pjesëmarrje në Konkursin e Këngës në Eurovision, kanë deklaruar udhëheqësit e mediumit publik. Për ta bërë këtë, Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës ose Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, e kjo e fundit kërkon anëtarësimin në Kombet e Bashkuara.
Përpjekjet më në fund u kurrorëzuan me sukses
Përpjekjet e shumta dhe të kahmotshme u kurrorëzuan më në fund me sukses pasi RTK dhe Ministria MKRS nënskruan marrëveshjen dhe më 7 mars 2023, u përcaktua formati dhe u miratua Rregullorja e Festivalit të Këngës në RTK. Në tetor 2023, pak para nisjes të edicionit të parë, drejtori i festivalit Adi Krasta raportoi për RTK-në se ishte në kontakt me njerëz në EBU të cilët kishin shprehur “entuziazëm të jashtëzakonshëm” në lidhje me ngjarjen. Drejtori i Përgjithshëm i EBU-së Noel Curran bëri madje një paraqitje përmes një videoje gjatë natës së parë të festivalit ku shprehi urimet e tij. Edhe përfaqësues të ambasadave si ajo e Suedisë besonin tani se Kosova po bëhet me Festival dhe mund të konkurojë në Eurovision kur të bëhet anëtare e EBU-së me të drejta të plota.
Që të vihej në këtë ditë, përgatitjet kishin filluar me paraqitjen së aplikacioneve e cila u bë midis 2 qershorit dhe 9 shtatorit 2023 ku u zgjedhën 18 aplikime konkurruese, thuhet në prononcimet e RTK-së të bëra publike në prag të Festivalit. Festivali kishte një juri prej 5 anëtarësh – të përbërë nga Adi Hila, Alban Nimani, Alma Bektashi, Zake Prelvukaj dhe kryetarja Ulla Sjöström – për të përcaktuar pesë të kualifikuarit nga secila gjysmëfinale dhe pastaj për ta votuar fituesin e finales. Në këtë edicion u paraqitën edhe një sërë interpretuesish të ftuar, përkatësisht Alban Nimani, Dafina Zeqiri, Fitnete Tuda, Genc Salihu, Ilire Vinca me dy vajzat e saj, Kamela Islamaj dhe Teuta Kurti, si dhe Xuxi.
Erdhi dita
Më 26 tetor Erdhi Dita, filloi dita e parë e Festivalit në RTK i njohur edhe si Festivali i Këngës në RTK i cili u transmetua në RTK 1, RTK 2, Radio Kosova 1 dhe Radio Kosova 2, si dhe në RTSH në Shqipëri e në MRT në Maqedoni të Veriut.
Edicioni përurues i Festivalit të Këngës u mbajt në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, me regjisor Adi Krastën dhe nën prezantimin e Krastës, Besim Dinës, Anjeza Shahinit, Edona Kasapollit dhe Edona Rashitajt; ai u përbë nga dy gjysmëfinale më 26 dhe 27 tetor 2023 dhe një finale më 28 tetor 2023.
Drejtor artistik për këtë edicion ishte Florent Boshnjaku, ndërsa shfaqjet u drejtuan nga Alfred Kaçinari, Edon Ramadani dhe Valton Beqiri; të katërt, si dhe Shpëtim Saraçi dhe Visar Kuçi, shërbyen edhe si orkestrues. Festivali i Këngës në RTK ishte i dizajnuar shkëlqyeshëm nga dy skenografet Rudina Xhaferri dhe Shqipe Kamberi të cilat mjeshtërisht i dhanë sharm dhe elegancë sallës së madhe të Pallatit të Rinisë.
Nata Finale – Ceremonia e ndarjes së çmimeve
Çmimi kryesor i edicionit të parë dhe historik të Festivalit të Këngës në RTK i takoi konkurrentit La Fazani me këngën “Oj Kosovë”. Trofeu i këtij edicioni atij iu nda nga kryeministri i Republikës, Albin Kurti i cili deklaroi se ky ishte një përjetim i paharrueshëm por edhe përvojë shumë e veçantë“, tha Kurti pak çaste para ndarjes së çmimit kryesor.
Ndërkaq, çmimi i dytë iu dha konkurrentes Angus Dei, së cilës ia ndau drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.
Sponsori i Festivalit të Këngës, “Flori Diamonds” e bëri të mundur ndarjen e medaljonit të famshëm me shqiponjën dy krenare me 500 diamante, 324 të bardhë dhe 124 të zinj për fituesin e këtij edicioni, La Fazani. Albin Nikprelaj me këngën “Ajo” ka marrë çmimin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK në edicionin e tij të parë. Çmimi iu nda nga tre prezantueset e tre netëve të festivalit, Edona Kasapolli, Anjeza Shahini dhe Edona Reshitaj. Ndërsa Çmimi i Kryeqytetit i ka takuar konkurrentit “La Fazani” me këngën “Oj Kosovë”. Çmimi artistit iu nda nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
“Mrekulli me qenë këtu në Sallën e Pallatit të Rinisë, e cila ka pësuar nga një zjarr i madh, e nga ai ka dalë një feniks i madh që e keni bërë ju bashkë me stafin e Pallatit të Rinisë dhe Komunës së Prishtinës. Dhe në kë festival kemi artistë të mrekullueshëm si La Fazani”, ka thënë Rama teksa ka ndarë çmimin. “Ky çmim jepet sepse Prishtina është bërë me festival dhe drejtori i ‘Eurosong’-ut tha se një qytet është më i bukur kur bëhet me festival”, ka thënë Adi Krasta për RTK-në.
Saranda Alija me këngën “Mendoj ku je” është fituese e çmimit të Orkestrës. Ky çmim asaj iu dorëzua nga këngëtarja e njohur Shpresa Gashi. Në në këtë Festival u paraqit me poezi aktori i mirënjohur Timo Flloku nga Shqipëria me prejardhje nga Peja dhe veterani i aktrimit Enver Petrovci.
Dhe natyrisht Festivali e arriti qëllimin, e dëshmoi se tani e tutje mund të themi se edhe shteti i Kosovës e ka Festivalin e Këngëve në RTK që do mund të na përfaqësonte denjësisht në Evrovision. Bëhuni gati?
Përfund: Një dobësi e këtij Festivalit ishte megjithatë mungesa e Rita Orës, Dua Lipës, Bebe Rexhës, këngëtare me famë botërore të cilat e bënë Kosovën të njohur në arenën mbarëbotërore. A nuk i ftuan a nuk erdhën? S´paku si mysafire.
Duhet ta themi megjithatë se Festivali ishte vërtetë një ngjarje madhështore e paharruar dhe e arrirë që asnjë kalemxhi nuk mund ta shpreh me fjalë. E këtu është përparësia e artefakteve audiovizive. E di se kanë mbetur shumë gjëra pa u thënë. Edhe ata e dijnë se ne e dijmë se ka mundur të bëhet më mirë. Se është dashur të jetë në skenë edhe shume të tjerë, por kështu e ka kjo punë. Hidherohen njerëzia kur nuk ftohen, e kur po kritikohen. Disa edhe janë xheloz, kur vetvetiu nuk janë në epiqendër nuk duan të dijnë, bëhen nervoz. Ja kështu e ka Festivali (Dasma). Saherë gjenden disa që nuk janë të kënaqur. Por, për të qenë perfekt duhet akoma t´i shërojmë traumat (plagët shpirtërore). /2LONLINE/