Feronikeli ka bërë një rikthim sensacional tejet dramatik duke e barazuar rezultatin në 2:2 ndaj The New Saints në ndeshjen e parë mes tyre në rrethin e parë kualifikues për Ligën e Kampionëve, duke i rritur seriozisht shpresat për kalim në rundin e dytë kualifikues.
Kampioni i Kosovës po humbiste 2:0 nga TNS deri në minutën e fundit të ndeshjes pas golave nga Greg Draper dhe Aeron Edwards, por dy gola të vonshëm por të shpejtë nga Mevlan Zeka dhe Astrit Fazliu e kompletuan rikthimin sensacional të Niklit në Park Hall në Uells.
Barazimi 2:2 në një garë të këtij karakteri është shumë i favorshëm për Niklin, pasi çfarëdo barazimi më me pak se dy gola e dërgon skuadrën nga Drenasi në rundin e dytë kualifikues në tentim për ta siguruar pjesëmarrjen në edicionin 2019/20 të Ligës së Kampionëve.
Feronikeli e pret TNS-në në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë pas një jave, dhe ka shumë gjasa të mira të kalojë në rundin e dytë kualifikues. Niklit i kryen punë fitorja me çfarëdo rezultati por edhe një barazim pa gola ose të paktën 1:1.