Nga e mërkura, 24.10.2018, do të fillojë faza e dytë e vaksinimit të kafshëve të egra kundër tërbimit. Ky projekt implementohet në vendin tonë nga konzorciumi AgroGroup Fauna & Bioveta a.s nga Çekia si kontraktues të BE-së, zyra në Kosovë.
Tërbimi është një prej sëmundjeve më të rrezikshme për kafshët dhe njeriun, burimi kryesor i të cilës janë dhelprat. Infeksioni nga kafshët e egra mund të kalojë edhe tek qentë endacakë dhe në këtë mënyrë bartet tek kafshët shtëpiake dhe njerëzit.
Nga AgroGroup Fauna bëhet e ditur se procesi do të zgjasë disa ditë dhe do të kryhet nga ajri, ku aeroplanët do të hedhin në mënyrë të kontrolluar një lloj vaksine që është futur në ushqim të posaçëm për dhelprat. Ky proces do të kryhet në të gjithë territorin e vendit, përjashtuar qendrat urbane dhe sipërfaqet ujore.
Vëmendje: – Vaksinat janë të vendosura në karrem i cili ka erë të rëndë, të përshtatshme për ti tërhequr kafshët. – Vaksinat – Karrem janë të sigurta për ju dhe për kafshët shtëpiake. – Ju lutemi mos i prekni Vaksinat -Karrem dhe udhëzoni fëmijët tuaj të mos i prekin ato. – Nëse Vaksina – Karrem janë në afërsi të zonës ku ju jetoni, ju lutem largoni ato duke përdorur dorëza pa i dëmtuar ato. – Në rast se vaksina është hapur dhe bie në kontakt me sy, gojë apo hundë, duhet të kërkohet ndihma mjekësore menjëherë.